
Sot bëhen 100 ditë nga arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj i cili prej 10 shkurtit mbahet nën masën “arrest me burg” në qelinë e paraburgimit të Durrësit.
Faqja zyrtare e Veliajt në ‘facebook’ që menaxhohet nga njerëz të afërt të tij, ka publikuar një reagim të kryebashkiakut i cili e konsideron arrestimin e tij si të paarsyeshëm, duke pretenduar kështu se po pengohet në kryerjen e detyrës publike si kryebashkiak i zgjedhur.
Ai thekson se do të vijojë të ndjekë rrugën ligjore për t’u liruar nga burgu.
"Shumë të dashur miq, Sot bëhen 100 ditë nga burgimi im pa asnjë justifikim të arsyeshëm. Ndalimi im i padrejtë dhe arbitrar vazhdon, megjithëse nuk jam akuzuar për asnjë vepër penale. Si pasojë, po pengohem forcërisht nga ushtrimi i detyrave të mia si Kryetar i zgjedhur, me votë masive 3 herë, i Bashkisë së Tiranës.
Vazhdimi i këtij paraburgimi nuk përbën vetëm një sulm ndaj meje dhe familjes sime, por është edhe një ndërhyrje e panevojshme dhe joproporcionale në përmbushjen e detyrave publike, që më janë besuar nga qytetarët e Tiranës. Pavarësisht burgimit mbetem i papërkulur. Çdo ditë që kalon, ma forcon edhe më shumë vendosmërinë. Angazhimi im ndaj Tiranës, ndaj jush, ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe të ardhmes së Shqipërisë mbetet i palëkundur.
Do të vazhdoj të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të siguruar lirimin tim, në mënyrë që të vazhdoj t’i shërbej qytetit tonë të mrekullueshëm si kryebashkiaku juaj. Me mall dhe dashuri për secilin prej jush!”- shkruan kryebashkiaku.
Ditën e djeshme avokatët e Veliajt dorëzuan në gjykatën e Lartë kërkesën e tij për t’u liruar nga masa e sigurisë ‘arrest me burg’ duke pretenduar se nuk ekzistojnë kushtet për një masë të tillë.
Kryebashkiaku i Tiranës akuzohet për kryerjen e tre veprave penale: korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash dhe futja e sendeve të paligjshme në qeli. Kjo e fundit iu shtua si akuzë pasi Veliaj para nisjes së seancës ku u la në fuqi masa e arrestit me burg, përdori telefonin e njërit prej efektivëve të burgjeve për të komunikuar me bashkëshorten dhe vëllain e tij.
Veliaj dyshohet se në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa kishin ngritur një skemë për përvetësimin e fondeve të bashkisë së Tiranës duke përdorur qendrën “Harabel’ në pronësi të Xoxës. Të përfshirë në këtë skemë korruptive sipas SPAK, janë edhe 6 biznesmenë, 5 prej të cilëve Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu, Shkëlqim Fusha dhe Gentian Sula janë nën masë “detyrim paraqitje”. Ndërsa biznesmeni tjetër, Elman Abule është në arrest shtëpie. Versus.al







