AKTUALITET /

112 vite shtet/ Sot festohet “28 nëntori”, dita historike kur shqiptarët shpallën pavarësinë

Sot në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë, do të ketë një paradë nga shqiptarë të ardhur nga të gjitha trojet shqipfolëse.

Shkruar nga Versus
112 vite shtet/ Sot festohet “28 nëntori”, dita historike kur
Pikturë: Isa Boletini ulet në gjunjë dhe puth flamurin kuqezi pas shpalles së pavarësisë

Në të gjithë trojet shqiptare sot festohet 112-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur nga Perandoria Otomane e kapitulluar.

Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.

Gjithashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike: Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar.

Më 28 Nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i Qeverisë së shtetit shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.

Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Europës.

28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.

Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë.

Për 112 vjetorin e pavarësisë do të ketë një sërë organizimesh nga ana e institucioneve shtetërore. Duke nisur nga Tirana e veshur kuqezi, sot në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të ketë paradë nga shqiptarë të ardhur prej të gjitha trevave shqipfolëse. Organizime do të ketë edhe në “qytetin e flamurit”, me figurat më të larta shtetërore që do të jenë në Vlorë. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: