
Tiranë- Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim dosjen e pesë shqiptarëve nga Kosova të cilët në dhjetor të vitit të kaluar u kapën në Rinas me 14 valixhe me medikamente kontrabandë dhe 300 mijë euro.
Altin Maqastena, Bekim Zenuni, Andi Grabanica, Ferhat Zenuni dhe Ardian Ismaili mbërritën nga Stambolli në Rinas me 14 valixhet të cilat kishin një peshë totale prej më shumë se 417 kg.
Ilaçet të prodhuara në Jordani pavarësisht se të licensuara, po tentoheshin të futeshin në tregun farmaceutik shqiptar në mënyrë kontrabandë. Autoritetet kanë sekuestruar sasinë e ilaçeve të kapura dhe 300 mijë eurot ‘cash’.
Njoftimi i plotë;
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq pesë persona, shtetas të Kosovës për veprën penale ‘Kontrabanda me mallra të licencuara’ në bashkëpunim, parashikuar nga neni 173/2 i Kodit Penal.
Shtetasit A.M., B.Z., A.G., A.I., dhe F.Z. në dhjetor të vitit 2024, mbërritën nga Stambolli në Shqipëri në Aeroportin e Rinasit me 300.000 euro cash dhe 14 valixhe me medikamente.
Pas njoftimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nga kontrolli fizik i tyre, u konstatua vlera prej 300.000 euro. Ndërkohë që pas mbërritjes së bagazheve, nga doganierët e Doganës Rinas, Grupi i Antikontrabandës, Antitrafikut dhe Policia Rinas, u konstatuan 14 valixheve me 1057840 medikamente me mbishkrimin ‘Unified’ me peshë totale 417.1 kg, të cilat u sekuestruan së bashku me vlerën monetare të padeklaruar.
Nga hetimet rezultoi e provuar kryerja e kontrabandës me mallra të licensuar (medikamente) të pa autorizuar në Republikën e Shqipërisë. Prokuroria arriti në përfundimin se vepra penale është kryer në bashkëpunim nga të pestë personat e arrestuar. Mallrat e sekuestruara të cilat klasifikohen ‘barna’ në kuptim të Ligjit nr.105/2014 ‘Për barnat dhe shërbimin farmaceutik’ të ndryshuar kërkojnë: autorizim tregtimi, autorizim përdorimi dhe pullën e kontrollit të lëshuar nga AKBPM në përputhje me detyrimet e përcaktuara në Ligjin nr.105/2014 ‘Për barnat dhe shërbimin farmaceutik’ të ndryshuar.
Për sa më sipër, në mbështetje të nenit 331 të Kodit Penal, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, dërgon në gjyq shtetasit A.M., B.Z., F.Z., A.G. dhe A.I. të akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Kontrabanda me mallra të licencuara’. Versus.al







