Elbasan- Qindra banorë të fshatit Hotolisht janë ngritur në protestë ditën e sotme kundër rrugës që e lidh qytetin me Qafë Thanën, pasi projekti i Korridorit të VIII parashikon prishjen e 150 banesave.
Ata u shprehën se nuk është bërë asnjë lloj transparence, ndërsa kanë kërkuar që qeveria të gjejë një zgjidhje tjetër, qoftë ajo me tunel dhe të mos lejohet që një fshat i tërë të shuhet për këtë rrugë.
Në një moment, disa prej banorëve transportuan një arkivol për të simbolizuar faktin se ata për qeverinë ndihen si ‘inekzistentë’.
“Kjo është një mënyrë për të treguar se do ta bëhë Hotolishtin do i shkojmë deri në fund kësaj kauze. Institucionet shqiptare vazhdojnë të heshtin, asnjë përgjigjie, asnjë reflektim apo dialog. Jemi të detyruar të bëjmë protestë dhe këtë akt simbolik me shtëpinë e fundit arkivolin. Ky nuk është projekt zhvillimi, por sulm ndaj ekzistencës së një komuniteti të tërë”- u shpreh njëri prej banorëve.
“Nuk jemi këtu për të kundërshtuar Elbasan-Qafë Thanë, por që të mos shkatërrohet jeta. Një fshat i tërë do të fshihet si të ishin të pavlerë. Për çfarë? Sepse shteti nuk bën dot një tunel 30 metra të gjatë. Ne kërkojmë një zgjidhje të thjeshtë, tunele dhe vetëm tunele! Një zgjidhje që respekton jetët tona”- deklaroi një tjetër banore e fshatit.
Gjatë protestës pati edhe momente përplasje të banorëve me policinë pasi është bllokuar një prej rrugëve ku qarkullojnë makinat. Versus.al








