Një 19-vjeçare shqiptare që mediat greke i referohen si Myrto ka humbur jetën në rrethana tragjike dhe të dyshimta, në Kefaloni të Greqisë ndërsa autoritetet greke kanë arrestuar tre persona të cilët po përballen me akuza të rënda dhe po hetohen për rolin e tyre në ngjarje.
Sipas hetimeve të Policisë Greke, e reja fillimisht është dërguar në një hotel nga persona të përfshirë në ngjarje, ku dyshohet se është droguar dhe më pas është lënë në gjendje të rënduar shëndetësore, pa marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Gjendja e saj është përkeqësuar me shpejtësi, deri në humbjen e jetës.
Hetimet paraprake sugjerojnë se viktima mund të jetë braktisur në momentin kur ndodhej në gjendje kritike, ndërsa nuk përjashtohet as pista e përdorimit të qëllimshëm të substancave narkotike dhe mosdhënies së ndihmës për ta lënë të pambrojtur.
Tre të arrestuarit, 2 shqiptar dhe njq boksier grek janë paraqitur para gjykatës, ku kanë marrë afat për të përgatitur mbrojtjen e tyre dhe për të dhënë dëshmitë zyrtare ditën e premte në orën 10:00.
Ata përballen me akuza të rënda që lidhen me vrasje me dashje ose vrasje me mosveprim, në varësi të përfundimeve të hetimeve.
Si ndodhi ngjarja sipas mediave greke?
Sipas hetimeve, gjithçka nisi në një dhomë hoteli, ku 19-vjeçarja kishte shkuar rreth mesnatës me një 23-vjeçar. Më pas, në dhomë janë bashkuar edhe dy persona të tjerë, mes tyre një 26-vjeçar dhe një 22-vjeçar shqiptar.
Dyshohet se gjatë natës kanë konsumuar lëndë narkotike, madje sipas dëshmive, kjo ka ndodhur dy herë.
Në një moment, vajza ka humbur ndjenjat.
Por në vend që ta çonin në spital, të rinjtë e kanë nxjerrë jashtë dhe e kanë transportuar drejt qendrës së qytetit.
Pamjet e kamerave të sigurisë i kanë zbuluar. Një prej tyre, sportist i peshave të rënda, shihet duke e mbajtur 19-vjeçaren në krahë, ndërsa dy të tjerët e shoqërojnë. Ata e lënë Myrto-n në gjendje të rëndë pranë sheshit dhe largohen.
Sipas të dhënave, vajza ka qëndruar për një kohë të gjatë në rrugë pa ndihmë, çka dyshohet se i ka kushtuar jetën.
Vetëm më vonë është njoftuar ambulanca, e cila e ka gjetur pa ndjenja dhe e ka dërguar në spital, ku mjekët luftuan për rreth një orë për ta rikthyer në jetë, por pa sukses.
Ekspertiza paraprake tregon se shkaku i vdekjes është arrest kardiak, ndërsa priten analizat toksikologjike për të konfirmuar përdorimin e drogës.
Pasi e braktisën në rrugë, tre të rinjtë janë kthyer në hotel dhe kanë pastruar dhomën, ndërsa kanë marrë edhe telefonin e vajzës, në përpjekje për të zhdukur gjurmët.
Ata janë identifikuar nga policia përmes kamerave dhe tashmë akuzohen për vrasje nga pakujdesia. /Versus.al

