
Tiranë- Dy persona janë arrestuar nga policia dhe një tjetër është proceduar penalisht pas zbulimit të një laboratori ku falsifikoheshin pasaporta e dokumenteve të ndryshme. Në pranga kanë rënë Ylli dhe Pjerin Brahimaj, babë e bir të cilët kryenin veprimtarinë e paligjshme në këmbim të 20 mijë eurove.
65 vjeçari Ylli Brahimaj rezulton të jetë në masë të mëparshme sigurie "arrest në shtëpi" të caktuar nga SPAK, ndërsa u procedua penalisht edhe 62 vjeçari Sh.L i cili dyshohet si bashkëpunëtor i tyre.
Mësohet se hetimet kanë zgjatur për 7 muaj dhe gjatë kontrollit të banesës u zbulua një ambient i fshehtë pas dollapit të rrobave ku dy të arrestuarit kryenin veprimtarinë e paligjshme të falsifikimit të dokumenteve. Për falsifikimin e një pasaporte të huaj, babë e bir merrnin shuma nga 15 deri në 20 mijë euro. Këto pasaporta përdoreshin më pas për kalim të paligjshëm drejt BE ose SHBA.
Njoftimi i plotë
Zbulohet një ambient i përshtatur si laborator për falsifikimin e dokumenteve të ndryshm me qëllim dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Sekuestrohen dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme që shërbenin për ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Vihen në pranga 2 shtetas (babë e bir), njëri prej tyre aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dhënë nga SPAK, si pjesëtar i një grupi kriminal për të njëjtën veprimtari. Procedohet penalisht bashkëpunëtori i tyre.
Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i një hetimi 7-mujor të ndjekur me metoda speciale, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Identiteti”.
Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit Y. B., 65 vjeç, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dhënë nga SPAK, dhe P. B., 45 vjeç (babë e bir), si dhe u procedua penalisht shtetasi Sh. L., 62 vjeç, i cili dyshohet si bashkëpunëtor i dy të arrestuarve.
Gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të fshehtë, të kthyer në laborator për prodhimin dhe falsifikimin e dokumenteve të ndryshme dhe pasaportave.
Nga hetimet ka rezultuar se prodhimi i një pasaporte të falsifikuar me shtetësi të huaj arrinte në vlerat nga 15 000 deri në 20 000 euro. Këto pasaporta dyshohet se përdoreshin për kalimin e paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian ose SHBA.
Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. Versus.al







