Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme, ku ka zhvilluar një takim me kreun e SPAK, Klodian Braho.
Pas takimit, Nika u shpreh për mediat se procesi hetimor po zvarritet dhe se ende nuk janë marrë në pyetje persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.
Ai theksoi se çështja ka hyrë në vitin e 16 dhe vijon të mbetet pa zgjidhje, ndërsa kërkoi që hetimet të përshpejtohen dhe të përfshijnë edhe ish-zyrtarë dhe punonjës të Gardës.
Nika ngriti shqetësim edhe për kasetën e dorëzuar nga gazetari Artan Hoxha, duke theksuar se ajo ende nuk është dërguar për ekspertim. Sipas tij, familja do të vijojë të ndjekë çështjen deri në zbardhjen e plotë të saj.
“Ne na duket se procesi po zvarritet. SPAK thotë po punojmë, këtu tha edhe kryeprokurori. Ne po presim, e kanë ata në dorë se si do të vijojë. Kemi hyrë në vitin e 16 që çështja është në sirtarët e drejtësisë.
Hetimi duhet të jetë më i shpejtë, duhet të thirren persona që kanë dijeni për ngjarjen, duke nisur nga punonjësit e Gardës dhe jo vetëm. Krimi është shumë I rëndë, ne do ta ndjekim deri në zbardhjen e çështjes.
Ish Sekretarin e Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe jo vetëm , nuk janë thirrur. Çështjen e lidhin shumë me parashkrimin.
Kaseta është për riekspertim. Më duket se ende nuk është dërguar për ekspertim. Isha unë që kërkova takim me zotin Braho sepse nuk na zë vendi”, tha ai./Versus.al

