AKTUALITET /

24.9 mln lekë dëm për shtetin me ndërtime jashtë lejes, prokuroria çon në gjyq ish-drejtoreshën e Kadastrës së Tiranës

I pandehur është marrë edhe ndërtuesi Sh.B. Ish-drejtoresha Gogo akuzohet se favorizoi ndërtime pa leje në Tiranë duke i shkaktuar arkës së shtetit miliona lekë dëm për shkak të mos-arkëtimit të taksës për ndikimin në infrastrukturë.

Shkruar nga Versus

24.9 mln lekë dëm për shtetin me ndërtime jashtë lejes,

Tiranë- Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të ish-drejtoreshës së Kadastrës së Tiranës, Elira Gogo e cila akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.

Në njoftimin e publikuar thuhet se hetimet e prokurorisë kanë vërtetuar se në rrugën e Bogdanëve në Tiranë, ka patur ndërtime me ndryshim destinacioni në kundërshtim me lejen e dhënë. Sipërfaqja e ndërtuar jashtë lejes e përcaktuar nga akt-ekspertimi teknik është 2240 m². Për këtë sipërfaqe, taksa e ndikimit në infrastrukturë është llogaritur në shumën 24.998.400 lekë, shumë më e lartë se ajo e paguar në bazë të dokumenteve të falsifikuara.

Elira Gogo ka nënshkruar dokumente pa kryer asnjë matje në terren duke raportuar sipërfaqe shumë më të vogla sesa ato reale. Këto veprime kanë sjellë përfitim të padrejtë për ndërtuesin ndërsa nga ana tjetër ka shkaktuar dëm për arkën e shtetit dhe për interesin publik të qytetarëve.

Ajo dyshohet se ka falsifikuar edhe dokumentet ku pretendohej se ishin bërë matje në terren dhe se sipërfaqja e objektit shtesë që do të legalizohej do të ishte 80.5 m2, ndërkohë që akti i ekspertimit nxorri se sipërfaqja e ndërtuar jashtë lejes së dhënë është 2240 m2. Gjithashtu në dosje akuzohet për ndërtim pa leje ndërtuesi Sh.B i cili gjithashtu është marrë i pandehur. Versus.al

Poll