AKTUALITET /

300 shezlongjet "avulluan" brenda natës në Regio Emilia, shfaqen pas 2 vitesh në Kepin e Rodonit. Reagon pronari Italian

Sipas mediave italiane, shezlongët u vodhën në qershor të vitit 2024 brenda vetëm 30 minutash, duke i shkaktuar resortit një dëm prej mbi 45 mijë eurosh.

Shkruar nga Versus

300 shezlongjet "avulluan" brenda natës në Regio Emilia,

Një histori e pazakontë ka bërë bujë në mediat italiane. Rreth 300 shezlongë të vjedhur dy vite më parë nga resorti Onde Chiare në Reggio Emilia janë shfaqur në një plazh në Kepin e Rodonit, në Shqipëri.

Sipas mediave italiane, shezlongët u vodhën në qershor të vitit 2024 brenda vetëm 30 minutash, duke i shkaktuar resortit një dëm prej mbi 45 mijë eurosh.

Një vit më vonë, një grua nga Reggio Emilia, e cila ndodhej me pushime në Shqipëri, vuri re se në një plazh në Kepin e Rodonit përdoreshin shezlongë me logon e Onde Chiare ende të dukshme. Ajo fotografoi pajisjet dhe ia dërgoi menaxherëve të resortit, të cilët e njohën menjëherë pronën e tyre.

Pronarët e resortit, Alberto Costoli dhe Enrico Cavazzoni, thanë se fillimisht menduan të shkonin vetë në Shqipëri për t'i marrë, por më pas vendosën të ndjekin rrugën ligjore. Ata angazhuan një avokat në Itali dhe një tjetër në Shqipëri për të kërkuar rikthimin e shezlongëve.

Sipas Costolit, autoritetet shqiptare duhej t'i kishin sekuestruar pajisjet, por një tjetër kliente e resortit, që ndodhej së fundmi në Durrës, u dërgoi një video ku shezlongët shihen ende duke u përdorur nga pushuesit në të njëjtin plazh.

"Tani jemi shumë të zemëruar. Nuk e kuptojmë si është e mundur që, edhe pse shezlongët janë identifikuar prej më shumë se një viti, ata vazhdojnë të përdoren normalisht", u shpreh Costoli.

Për këtë arsye, menaxherët vendosën ta bëjnë çështjen publike. Ata kanë kontaktuar mediat lokale italiane, programin investigativ "Le Iene", ndërsa në rrjetet sociale kanë etiketuar edhe kryeministrin Edi Rama, duke shpresuar se rasti do të marrë vëmendjen e autoriteteve.

Në postimin e publikuar në Instagram, resorti shkruan me ironi: "Nëse shkoni me pushime në Kepin e Rodonit, përshëndesni shezlongët tanë." Më tej, pronarët theksojnë se prej më shumë se një viti po ndjekin procedurat ligjore në Itali dhe Shqipëri, por ende nuk kanë arritur të rikuperojnë pronën e tyre.

Ndërkohë, nuk është ende e qartë se si shezlongët kanë përfunduar në Shqipëri. Një nga hipotezat është se ata mund të jenë blerë pa dijeninë se ishin të vjedhur ose të kenë kaluar nga një pronar te tjetri./Versus.al

 

Poll