AKTUALITET /

Platforma e denoncimeve online, Inspektorati i Përgjithshëm fton qytetarët dhe bizneset të raportojnë shkeljet dhe padrejtësitë

Raportuesit kanë të drejtë të zgjedhin nëse duan të identifikohen ose të ruajnë anonimatin.

Shkruar nga Versus

Platforma e denoncimeve online, Inspektorati i Përgjithshëm fton

Inspektorati i Përgjithshëm fton qytetarët dhe bizneset të raportojnë shkeljet e ligjit dhe problematikat që lidhen me proceset e inspektimit.

Përmes platformës sigurt.gov.al, qytetarët mund të denoncojnë sipërmarrje që dyshohet se shkelin legjislacionin e punës, ndotin mjedisin apo cenojnë ligje të tjera në fuqi. Raportuesit kanë të drejtë të zgjedhin nëse duan të identifikohen ose të ruajnë anonimatin.

Platforma u jep mundësi edhe subjekteve dhe bizneseve të raportojnë inspektorë që nuk zbatojnë ligjin, rregulloret apo standardet etike gjatë ushtrimit të detyrës. Edhe në këto raste, denoncimi mund të kryhet në mënyrë të identifikuar ose anonime.

Çdo raportim pajiset me një kod unik gjurmimi, përmes të cilit qytetarët dhe bizneset mund të ndjekin online statusin dhe fazat kryesore të trajtimit të rastit.

Për bizneset, platforma ofron gjithashtu lista kontrolli sipas sektorëve, materiale vetëkontrolli, udhëzime praktike dhe rekomandime për uljen e rrezikut dhe përmirësimin e zbatimit të standardeve ligjore gjatë inspektimeve.

Në sigurt.gov.al do të publikohen edhe statistika dhe të dhëna të agreguara e të anonimizuara mbi problematikat dhe tendencat e evidentuara, pa bërë publike identitetet e raportuesve apo masat administrative të marra.

Sipas Inspektoratit të Përgjithshëm, platforma synon të rrisë transparencën e shërbimeve publike dhe të forcojë bashkëpunimin e qytetarëve dhe bizneseve me institucionet shtetërore, veçanërisht në fushën e inspektimit.

 

Poll