SPAK ka zbardhur detaje të reja lidhur me operacionin e zhvilluar ditën e djeshme në Han të Hotit ku u arrestuan 5 persona të cilët dyshohet se funksionin si grup kriminal në skemën e krijuar për kalimin drejt SHBA-ve të shqiptarëve duke përdorur dokumenta të falsifikuara.
Grupi i drejtuar nga Luc Melaj i cili mbahet në arrest me burg funksiononte në nivel ndërkombëtar dhe pasi krijonin kontakt me shqiptarë të cilët dëshironin të shkonin në SHBA, përgatisnin dokumentet e falsifikuara për të ndjekur më pas itinerarin Shqipëri-Itali-Spanjë-Meksikë dhe në fund SHBA. I gjithë udhëtimi planifikohej të zgjaste deri në 20 ditë dhe shuma e paguar varionte nga 20 mijë deri në 45 mijë dollarë.
Për 4 persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë, 2 prej të cilëve kontrollorë në pikën kufitare Han i Hotit është caktuar “arrest shtëpie”.
Në kuadër të operacionit të zhvilluar në bashkëpunim mes SPAK dhe autoriteteve amerikane, janë sekuestruar sende të cilat kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale apo sende që përbëjnë produkt të veprës penale, si: shuma prej afro 8 000 Euro, 600,000 (gjashtëqind mijë) lekë, 3 000 (tre mijë) USD, 240 (dyqind e dyzetë) dollarë kanadez, 17 aparate celulare, 3 automjete, usb, dokumente bankare dhe dokumente udhëtimi me interes për hetimin.
Njoftimi i SPAK:
Nga të dhënat e hetimeve të deritanishme ka rezultuar e provuar ekzistenca e një grupi kriminal, i cili ka organizuar dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit për disa shtetas shqiptarë, përmes dokumentacionit të falsifikuar, me destinacion përfundimtar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo veprimtari kriminale dyshohet të jetë e mirë organizuar edhe në nivel transnacional, pasi kalimi i paligjshëm drejt SHBA-së rezulton të jetë kryer përmes shteteve Shqipëri-Itali- Spanjë-Meksikë-SHBA.
Modus operandi i ndjekur nga personat e përfshirë në këtë veprimtari kriminale konsiston fillimisht në krijimin e kontaktit mes personave të interesuar për të ikur drejt SHBA-ve dhe personit nën hetim L.M., i cili me qëllim kalimin e paligjshëm në kufi, kryente, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, veprimet si: prodhimi në kohë të shpejtë i dokumenteve të identifikimit të falsifikuar, prerja e biletave të udhëtimit, pajisja me aparate celularë të rinj dhe numra telefoni sipas shteteve ku kryhet udhëtimi etj.
Shtetasit e interesuar për të ikur drejt SHBA-ve kalonin kufirin shqiptar me pasaportën e tyre shqiptare dhe në aeroportet e Spanjës nga ku kryhej tranziti drejt Meksikës dhe me tej SHBA-ve, priteshin nga shtetas të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, të cilët i pajisin me dokumentin e identifikimit të falsifikuar. E gjitha kjo veprimtari kryhej për jo më shumë se 15-20 ditë dhe çdo person paguante një shumë nga 20 000 (njëzet mijë) USD deri në 45 000 (dyzetë e pesë mijë) USD.
Gjithashtu, në kuadër të veprimeve dhe verifikimeve të kryera nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerët e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, është konstatuar një aktivitet tjetër i paligjshëm i kryer në Pikat e Kalimit Kufitar të Republikës së Shqipërisë me Malin e Zi, nga ana e punonjësve të policisë kufitare të PKK-ve Shqipëri-Mali i Zi. Ky aktivitet i paligjshëm konsistonte në mos-regjistrimin në sistemet e PKK-ve të shtetasve shqiptarë, të cilët për shkaqe si: tejkalimi i afatit të qëndrimit në shtetet e BE-së; ndalimi i hyrjes në shtete të ndryshme për shkak të penaliteteve; ose në rastet kur shtetasit janë azilkërkues në vende të ndryshme etj, kërkonin të shmangin në mënyrë të paligjshme regjistrimin e kalimit në kufi.
Pas kryerjes së veprimeve të nevojshme hetimore, analizës së provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit Prokuroria e Posaçme paraqiti para Gjykatës së Posaçme kërkesën për caktim mase sigurimi ndaj personave të dyshuar në kryerjen e veprave penale të përshkruara më sipër.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin e saj nr. 81, datë 21.07.2024, ka vendosur caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodi i Procedurës Penale për personin nën hetim L.M. dhe masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodi i Procedurës Penale për personat nën hetim T.M, B.Ç, E.M dhe G.C.
Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është bërë ekzekutimi i të gjitha masave të sigurimit personal dhe janë ushtruar kontrolle, ku janë sekuestruar sende të cilat kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale apo sende që përbëjnë produkt të veprës penale, si: shuma prej afro 8 000 Euro, 600,000 (gjashtëqind mijë) lekë, 3 000 (tre mijë) USD, 240 (dyqind e dyzetë) dollarë kanadez, 17 aparate celulare, 3 automjete, usb, dokumente bankare dhe dokumente udhëtimi me interes për hetimin. Versus.al








