AKTUALITET /

6.6 mln lekë mungonin në kasafortë, 2 persona në Korçë përdorën djalin e mitur që të vidhte në banesën e tij

Rezultoi se djali 12 vjeçar i pronarit të banesës kishte rënë pre e dy personave që e kishin përdorur që të vidhte shumën prej 6.6 mln lekësh nga kasaforta.

Shkruar nga Versus

6.6 mln lekë mungonin në kasafortë, 2 persona në

Korçë- 18 muaj hetime janë dashur për të zbardhur një ngjarje të ndodhur në dhjetor të vitit 2023 kur një person me inicialet A.S ka denoncuar se në kasafortën e shtëpisë së tij mungonte shuma prej 6.6 milionë lekësh të reja.

Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e dy autorëve me inicialet A.S dhe S.T të cilët akuzohen se kanë manipuluar djalin e mitur të familjes që të merrte lekët nga banesa e tyre. Sipas organit të akuzës, dy të arrestuarit kanë marrë para nga 12 vjeçari gjatë periudhës korrik-nëntor të vitit 2023. Ndërsa në dhjetor pronari i banesës vuri re se shuma e kursimeve në kasafortë ishte vjedhur.

Njoftimi i plotë:

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, u arrestuan shtetasit A.S. dhe S.T., për veprën penale ‘Vjedhja’ me pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim dhe ‘Shtyrja e të miturve në krim’ parashikuar nga nenet 134/3 dhe 129 e 25 i Kodit Penal. Ndërsa u caktua masa e sigurimit ‘Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore’ për të miturin M.S. për veprën penale ‘Vjedhja’ me pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim dhe ‘Shtyrja e të miturve në krim’ parashikuar nga nenet 134/3 dhe 129 e 25 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.1319, datë 27.12.2023, të nisur si pasojë e denoncimit të shtetasit A.S. pas konstatimit se në kasafortën e shtëpisë së tij mungonte një shumë 6.6 milionë lekë (të reja), prokuroria ngriti dyshime të arsyeshme, bazuar në prova se paratë janë marrë nga fëmija i mitur i denoncuesit, i përdorur nga shtetasit e arrestuar për të vjedhur shumën e parave.

Hetimet 18 mujore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë provuan se i mituri u përdor nga dy të arrestuarit për të marrë kursimet e familjes dhe se u dha lekë këtyre shtetasve për një periudhë pesë mujore Korrik-Nëntor të vitit 2023.

Sipas prokurorisë ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se, shtetasit nën hetim S.T. dhe A.S., ky i fundit recidivist në këtë vepër penale, dhe i mituri në konflikt me ligjin M.S. kanë kryer veprat penale “Vjedhja” me pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 134/3 i K.Penal dhe “Shtytja e të miturve në krim” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 129 e 25 i K.Penal.

Shtetasit A.S. dhe S.T. dhe i mituri në konflikt me ligjin M.S., kanë përvetësuar në mënyrë të paligjshme pasurinë e luajtshme të denoncuesit, fakt që rezultoi i provuar, por edhe i pranuar nga deklarimet e marra personave nën hetim, duke përdorur si ekzekutor shtetasin e mitur A.S. të moshës 12 vjeçare. Versus.al

Poll