AKTUALITET /

A po hetohet Rama? Dumani i përgjigjet deputetes së PD për çështjen "Aruba"

Shkruar nga Versus

A po hetohet Rama? Dumani i përgjigjet deputetes së PD për

Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti ka pyetur kryeprokurorin e SPAK, Altin Dumanin mbi atë që kryedemokrati Sali Berisha e ka përmendur shpesh si çështja “Aruba” ku pretendon se kryeministri Edi Rama është i përfshirë me anëtarë të krimit të organizuar.

Ajo përmendi përgjimet e antimafias italiane, në të cilat sipas tyre përflitet për një takim të fshehtë të zhvilluar mes përfaqësuesve të karteleve të drogës dhe zyrtarëve të lartë shqiptarë, duke e pyetur kreun e SPAK, Altin Dumanin se nëse institucioni që ai drejton ka nisur hetime lidhur me këtë çështje apo jo.

“Pyetja tjetër ka të bëjë me çështjen Aruba. Në raportin e fundit të DASH, përmenden shqetësime për pastrim parash, mes lidhjes mes biznesit dhe politikës. A ka nisur SPAK një hetim të pavarur mbi përmbajtjen e përgjmeve të antimafias italiane që flasin për një takim të zhvilluar mes përfaqësuesve të karteleve dhe zyrtarëve të lartë shqiptarë, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama.

Dhe a është verifikuar që lejet e mëvonshme të investimeve në Shqipëri kanë shërbyer për pastrimin e parave. Nëse është ngritur një grup ndëristitucional për ndjekjen e flukseve të dyshimta që mund të kenë origjinë në këtë aferë”, tha Hoti.

Dumani iu përgjigj shkurtimisht deputetes duke i bërë me dije se nuk njeh ndonjë çështje me emër të tillë.

“Ju përmendët çështjen Aruba, unë nuk njoh asnjë çështje me emrin Aruba lidhur me këtë unë nuk kam asgjë për të ndarë as me Kuvendin as me opinionin publik”- tha kreu i SPAK. Versus.al

Poll