Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Balldren të Lezhës, ku një i moshuar ka humbur jetën pasi ka rënë në një shpellë natyrore, rreth 20 metra të thellë.
Viktima është identifikuar si Preng Mandreaj. Sipas informacioneve paraprake, familjarët kishin njoftuar policinë për zhdukjen e tij, pasi ai ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer më.
Pas disa orësh kërkime intensive nga forcat e rendit dhe banorë të zonës, trupi i të moshuarit u gjet i pajetë brenda në një shpellë në malin përballë shtëpisë së tij.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit tragjik. Nga të dhënat paraprake dyshohet se bëhet fjalë për një aksident. /Versus.al







