
Ish-banori i Big Brother VIP 1, aktori Donald Veshaj duket se i ka hyrë fushës së ndërtimit pas aplikimit nga kompania e tij për ndërtimin e një kulle 33 katëshe në Vlorë.
Dokumentet tregojnë se në mars të vitit 2024, Donald Veshaj dhe Glenis Çobo themelojnë kompaninë “DGC” shpk, me objekt të aktivitetit “Veprimtari në fushën e ndërtimit dhe investimeve në ndërtim, etj…”.

Më pas në dhjetor të vitit 2024, shoqëria “Anchor Investment” në pronësi të Albi Shyti, blen 50 përqind të aksioneve të “DGC” shpk, për një vlerë prej 5 mijë eurosh. Ortakët më pas aplikuan për ndërtimin e një kulle 33 kate në qendër të qytetit bregdetar.

Momentalisht ende është e paqartë nëse Këshilli Kombëtar i Territorit, KKT e ka miratuar lejen me firmë të kryeministrit Edi Rama. Shqyrtimi i kërkesës për kullën e lartë u bë gjatë mbledhjes së datës 29 prill.
Në pikën 50 të rendit të ditës gjatë mbledhjes së KKT thuhet “Leje Zhvillimi për objektin: “Objekt rezidencial dhe hoteleri me 33 kate mbi tokë dhe 4 kate nën tokë”, me vendndodhje në Bashkinë Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “DGC” sh.p.k.”. Mbetet për t’u parë nëse leja është miratuar. Versus.al

