
Tiranë- Gjyqtari i posaçëm Engert Pëllumbi ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg’ për kryebashkiakun Erion Veliaj i cili akuzohet për pastrim parash dhe korrupsion në 9 raste të ndryshme.
Vendimi u mor sot në seancën e tretë radhazi për Veliajn i cili kërkonte masë më të butë sigurie duke ofruar garanci pasurore prej 5 milionë lekësh, me pretendimin se nuk rrezikon të prishë provat apo të largohet nga vendi.
Ndërkohë, është ndryshuarmasa për biznesmenin Elman Abule i cili tashmë do të qëndrojë nën masën “arrest shtëpie”. Ndërsa për 3 biznesmenët e tjerë, Shkëlqim Fusha, Meriman Palusha dhe Gentian Sulën, janë lënë në fuqi masat “detyrim paraqitje’.
Seanca për kërkesën e bërë nga Veliaj për ndryshim mase zgjati për tre ditë pasi SPAK pretendoi se kishte siguruar prova të reja që e rëndonin pozitën e kryebashkiakut. Raportimet në media i lidhën këto prova me përgjime ambientale të bëra në ambientet e paraburgimit të Durrësit ku Veliaj po qëndron prej datës 12 shkurt.
Veliaj i ka kundërshtuar provat e reja duke thënë se u është dashur ta mbajnë në paraburgim për të siguruar prova kundër tij. Sot gjithashtu Apeli ka rrëzuar kërkesën e Ajola Xoxës për heqjen e sekuestros ndaj llogarive bankare të saj. Versus.al







