
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani dhe disa prokurorë të SPAK së bashku me kryeprokurorin e përgjithshëm, Olsian Çela kanë zhvilluar së fundmi një takim pune me kryeprokuroren e Belgjikës, Ann Fransen. Takimi është zhvilluar në Bruksel në datat 18-19 nëntor.
Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se takimi u zhvillua në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit të nënshkruara mes palëve si dhe në vijim të takimeve që u mbajtën vitin e kaluar në Tiranë.
“Diskutimet u fokusuan në çështje që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, hetimet financiare, pastrimin e produkteve të veprës penale, përdorimin e kriptomonedhave në aktivitete kriminale, koordinimin e hetimeve dhe ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore. Gjithashtu u trajtuan çështje të ndihmës juridike, përfshirë ekzekutimin e vendimeve penale dhe letërporosive.”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Gjithashtu janë diskutuar hapësirat ligjore për të përmirësuar koordinimin në drejtim të legjislacionit antimafia për sekuestrimin e aseteve kriminale. Versus.al
