
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka bërë një reagim në rrjet për sa i përket arrestimit të Shefit të sektorit kundër trafikut të drogës në Policinë e Durrësit, Gazmir Peçi.
Ministri Hoxha shkroi se ky operacion është një mesazh i qartë për të gjithë punonjësit e policisë që do të tentojnë të cenojnë besimin e qytetarëve tek Policia.
Ai shtoi gjithashtu se ata që do të sillen si padronë të qytetarëve dhe bizneseve dhe nuk do t’i shërbejnë ligjit në mënyrën e duhur, do të marrin ndëshkimin ligjor më të rëndë të mundshëm.
Ministri u bëri apel të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që të denoncojnë raste të tilla dhe të mos ndihen të kërcënuar, pasi Policia është gjithmonë e gatshme për të arritur objektivin madhor të mirëqenies profesionale dhe integritetit të lartë moral e ligjor.
Reagimi i Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha
Operacioni i AMP-së, në bashkëpunim me SPAK, është mesazh i qartë për ata punonjës policie të cilitdo niveli qofshin, që do të tentojnë të cenojnë besimin e qytetarëve tek Policia, duke u hequr si padronë të qytetarëve dhe bizneseve, dhe jo si shërbëtorë të ligjit, se do të marrin ndëshkimin më të ashpër ligjor.
Mbështes dhe inkurajoj AMP-në dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe nxis dhe garantoj qytetarët dhe bizneset të denoncojnë raste të tilla, sepse vetëm bashkërisht arrijmë të realizojmë objektivin madhor, për të pasur një Polici sa më profesionale dhe me integritet të lartë moral e ligjor!/ Versus.al







