Ermir Ndreaj, një emër i njohur për autoritetet si i përfshirë në trafikun e drogës, u arrestua së fundmi nga SPAK si një nga drejtuesit e një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Ai njihej edhe si një nga figurat e lidhura publikisht me klubin e natës “Cinco Cavalli”, por vetë lokali ka reaguar menjëherë duke mohuar çdo lidhje me të.
Përmes një deklarate publike, klubi “Cinco Cavalli” theksoi se personi i arrestuar nuk ka lidhje me kompaninë 'Cinco Cavalli'.
“Cinco Cavalli Group dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me një informacion të gabuar të publikuar sot në disa media online, ku është përmendur emri i një personi te arrestuar, qe ka lidhje me kompaninë tonë.
Theksojmë se ky person nuk ka asnjë lidhje me Cinco Cavalli Group, as në pronësi, as në menaxhim, dhe as në ndonjë funksion tjetër të lidhur me aktivitetin e kompanisë sonë. Çdo përpjekje për ta lidhur atë me emrin e Cinco Cavalli është e pavërtetë dhe e pabazuar", thuhet në reagim.
Megjithatë, dokumentet zyrtare të siguruara nga Qendra Kombëtare e Biznesit tregojnë një tjetër histori.
Sipas të dhënave, “Cinco Cavalli” është regjistruar në vitin 2016 në Durrës dhe themelues figuron pikërisht Ermir Ndreaj.
Dy vite më vonë, në vitin 2018, biznesi i është shitur zyrtarisht Enio Jahelezit, me të dy personat që rezultojnë me origjinë nga Tropoja.
Shitja është kryer në Tiranë dhe është e dokumentuar në regjistrat e QKB-së./Versus.al







