AKTUALITET /

Arrestohet një serb i dyshuar për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, arrestimi është bërë në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale, për shkak të natyrës serioze të veprave penale të dyshuara dhe rrezikut të lartë për arratisje, pasi i dyshuari jeton dhe punon në Serbi.

Shkruar nga Versus

Arrestohet një serb i dyshuar për sulmet ndaj KFOR-it dhe
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar të dielën një person të dyshuar për përfshirje në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, ngjarje që ndodhi më 29 maj 2023 para objektit të Komunës në Zveçan.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, arrestimi është bërë në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale, për shkak të natyrës serioze të veprave penale të dyshuara dhe rrezikut të lartë për arratisje, pasi i dyshuari jeton dhe punon në Serbi.

“Duke marrë parasysh peshën e veprave penale, rrezikun për arratisje dhe mundësinë e manipulimit apo zhdukjes së provave, janë ndërmarrë masat e nevojshme për ndalimin e të dyshuarit dhe sigurimin e prezencës së tij në procedurat penale”, thuhet në komunikatë.

Bastisje dhe sekuestrime
Gjatë aksionit, Policia ka kryer bastisje në banesën e të dyshuarit, ku janë sekuestruar disa prova materiale, përfshirë:

Një telefon celular
Dy pajisje USB
Uniforma të ndryshme ushtarake
Një bluzë me mbishkrim nacionalist, për të cilën dyshohet se e kishte të veshur në ditën e ngjarjes
I dyshuari është pyetur në prani të avokatit dhe përkthyesit, ndërsa me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Prokuroria Speciale ndaj shtetasit serb ka ngritur akuza për katër vepra penale të rënda:

- Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës
- Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare
- Sulm ndaj personit zyrtar
- Pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm

Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa mbetet prioritet identifikimi dhe ndjekja penale e të gjithë personave të përfshirë në veprimet e dhunshme që rrezikojnë sigurinë dhe rendin kushtetues të vendit. / Versus

Poll