Nga Blerina Moka
Ajo ishte një grua e panjohur për ne deri pak orë më parë, kur bashkë me djalin e saj autik u gjend papritur mes gardhit të policëve dhe autobotit me spry që po hidhej drejt protestuesve para Kuvendit paraditen e sotme.
Nënë Filja mbante për dore të birin autik, Andin, që i trembur nga zhurma e madhe dhe padituria pse sytë i lotonin prej gazit lotsjellës, gjente paqe vetëm në krahët e së ëmës.
Video e nënë Files u bë virale dhe lotët e dy njerëzve të dobët para kaosit dhe forcës së shkopinjve të gomës së policëve prekën mbarë opinionin publik.
Megjithëse u gjend rastësisht, askush më shumë se ajo grua nuk kishte të drejtën morale të ishte aty.
Bashkë me të birin që vuan nga spektri i autizmit, ajo jeton në një gërmadhe që e quajnë shtëpi.
Muret të çara dhe të nxira nga lagështira, banesa e tyre i ngjan një godine të rrënuar që nuk ka as dritare dhe ku nga çatia e prishur hyn një fije rreze drite.
Një jetesë si në mesjetë dhe megjithatë askush nuk e njeh apo ta ketë parë nga afër nga institucionet apo komshinjtë.
Filja nuk ka dalë në protestë të flasë për veten si shumë të tjerë që halli i pazgjidhur i ka nxjerrë aty, duke denoncuar padrejtësitë.
Por nëna e djalit autik, me lot në sy tregon se nuk ka ku të shkojë, e sërish para vetes, zgjedh djalin.
Ka vetëm merakun e tij.
“Dua vetëm një qendër për djalin, asgjë tjetër”, thotë gruaja e cila në lot shpreh gjithë pafuqishmërinë të kujdeset për të birin.
Dhimbja e nënë Files është turpi i një shoqërie të tërë që nis nga lagjia, zona, qyteti ku jetojmë dhe e shohim përditë, por askush nuk ka zgjedhur ta ndihmojë.
Në emër të saj është dhe një llogari për ta ndihmuar sadopak, këtë grua të mjerë që fati e ka dënuar të jetojë në këto kushte.
Mefshtësia e institucioneve është këmbanë alarmi për të cilën duhet të reagojmë të gjithë.
Lotët e nënë Files, janë apeli për më shumë empati, vëmendje e shërbime dinjitoze./Versus.al
View this post on Instagram

