
Policia e Shtetit ka bërë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët, për shkak të përkeqësimit të parashikuar të kushteve hidrometeorologjike detare dhe atmosferike.
Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se nga mesdita e datës 24 korrik 2026 deri në paraditen e 25 korrikut 2026, mjetet e vogla lundruese dhe mjetet e peshkimit që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës dhe Gjirit të Sarandës, në det të hapur dhe përgjatë vijës bregdetare Dhërmi–Himarë–Sarandë, duhet të shmangin daljet në det.
Policia u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve lundruese që të tregojnë kujdes të shtuar, të marrin në konsideratë kushtet e motit dhe të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë jetën e tyre dhe të personave në bord.
Paralelisht, për shkak të reshjeve dhe përkeqësimit të kushteve atmosferike, Policia e Shtetit ka apeluar edhe për drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të ulin shpejtësinë, të ruajnë distancën e sigurisë dhe të shmangin manovrat e rrezikshme.
Edhe këmbësorëve u është kërkuar të tregojnë vëmendje të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në rast reshjesh apo lagështie në rrugë.
Autoritetet kërkojnë që të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese dhe të rrugës të tregojnë kujdes maksimal për të shmangur incidentet dhe për të garantuar sigurinë e jetës.
Në bazë të parashikimeve për përkeqësimin e kushteve hidrometeorologjike detare dhe atmosferike, Policia e Shtetit njofton se, duke filluar nga mesdita e datës 24.07.2026 deri në paraditen e datës 25.07.2026, mjetet e vogla lundruese dhe mjetet e peshkimit që synojnë të operojnë jashtë Gjirit të Vlorës dhe Gjirit të Sarandës, në det të hapur dhe përgjatë vijës bregdetare Dhërmi–Himarë–Sarandë, të shmangin daljet në det, për shkak të kushteve të pafavorshme hidrometeorologjike gjatë këtij harku kohor.
Drejtuesit e këtyre mjeteve lundruese duhet të tregojnë kujdes të shtuar, të marrin në konsideratë përkeqësimin e kushteve të motit dhe të shmangin çdo dalje në det që mund të rrezikojë sigurinë e tyre dhe të personave në bord.
Po ashtu, nisur nga parashikimet për përkeqësimin e kushteve atmosferike gjatë ditës së nesërme, Policia e Shtetit apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor, kufijtë e shpejtësisë, distancën e sigurisë dhe duke shmangur manovrat e rrezikshme.
Këmbësorët këshillohen të tregojnë vëmendje dhe kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në kushtet e reshjeve apo lagështirës në rrugë.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve të vogla lundruese, mjeteve të peshkimit dhe të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes maksimal, jo vetëm gjatë këtij harku kohor, por në vijimësi, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së jetës./Versus.al

