Në Elbasan nuk ka ndodhur asnjë vrasje përgjatë vitit 2024. Kjo u njoftua nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili mori pjesë në analizën vjetore të punës në drejtoritë vendore të Policisë Elbasan dhe Korçë.
Sipas tij, ky rezultat nuk ishte shënuar në këtë qark që nga viti 1989.
"Gjatë analizave, drejtori përgëzoi strukturat e Policisë së qarkut Elbasan, sepse rritja e forcës policore parandaluese mundësoi që gjatë vitit 2024, në këtë qark të mos kishte asnjë vrasje. Ky rezultat nuk ishte shënuar në këtë qark që nga viti 1989", thuhet në njoftimin e Policisë.
Drejtori i Përgjithshëm është ndalur edhe në zgjedhjet e 11 majit, duke kërkuar nga të gjitha strukturat policore të jenë të baraslarguara nga subjektet politike gjatë fushatës zgjedhore.
“Punonjësit e Policisë duhet të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe detyrimet që burojnë prej tij, duke garantuar rendin dhe sigurinë, si dhe mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve elektorale, për sa i përket punës së Policisë së Shtetit, e cila ka vetëm një detyrë, të garantojë rendin dhe sigurinë dhe të zbatojë ligjin.
Cilido punonjës policie që do të konstatohet se nuk do të zbatojë këto detyrime që rrjedhin nga ligji për Policinë e Shtetit, do të largohet pa asnjë hezitim nga radhët e Policisë së Shtetit”, ka thënë Proda.







