
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të enjteje në aksin kombëtar Elbasan–Librazhd, në fshatin Mengël të Njësisë Administrative Labinot-Fushë.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet që po qarkullonte në këtë segment rrugor ka humbur kontrollin dhe është përplasur me forcë me barrierat mbrojtëse anësore.
Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëmtime të mëdha në automjet, i cili është shkatërruar pothuajse tërësisht në pjesën ballore dhe anësore.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se në timon ndodhej Klement Balla, banues në fshatin Griqan i cili humbi jetën si pasojë e plagëve të rënda.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë Rrugore dhe grupi hetimor, të cilët kryen veprimet e para dhe nisën hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
Paraprakisht dyshohet se shkak i ngjarjes ka qenë humbja e kontrollit të automjetit, e favorizuar nga shpejtësia, ndërsa hetimet dhe ekspertiza teknike do të përcaktojnë shkaqet e plota të aksidentit./Versus.al

