AKTUALITET /

Plagosi me thikë një person në Poliklinikën e Shkodrës, adoleshenti dhe babai i tij bashkëpunëtor vihen në pranga

Sipas bluve, pas kontrolleve intensive dhe veprimeve hetimore, u bë e mundur kapja e shtetasit A. F., 18 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar se ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin V. K., 32 vjeç.

Shkruar nga Versus

Plagosi me thikë një person në Poliklinikën e Shkodrës,

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 18-vjeçar dhe babain e tij, të dyshuar si të përfshirë në plagosjen me thikë të një 32-vjeçari në ambientet e Poliklinikës së Shkodrës.

Ngjarja ndodhi mesditën e sotme në lagjen “Vasil Shanto”, ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e përgjegjësive penale.

Sipas bluve, pas kontrolleve intensive dhe veprimeve hetimore, u bë e mundur kapja e shtetasit A. F., 18 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar se ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin V. K., 32 vjeç.

Në pranga ka rënë edhe babai i 18-vjeçarit, A. M., 53 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në ngjarje.

Policia dyshon se babë e bir kanë sulmuar me thikë 32-vjeçarin në ambientet e Poliklinikës, ndërsa i plagosuri ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

18-vjeçari akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Ndërsa babai i tij akuzohet për “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.

Në lidhje me këtë ngjarje, policia kishte arrestuar më herët edhe shtetasin A. K., 41 vjeç, vëllain e të plagosurit, pasi dyshohet se situata mund të përshkallëzohej në një konflikt më të rëndë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme./Versus.al

Poll