Katër fëmijët e Marjola Nakolecit, 36-vjeçares shqiptare që u vra barbarisht nga bashkëshorti i saj në Volos të Greqisë, do të vendosen nën kujdesin e tezes së tyre. Sipas mediave greke, Prokuroria e Volosit pritet të zyrtarizojë kalimin e kujdestarisë tek motra e viktimës ditën e enjte në mëngjes.
Fëmijët do të zhvendosen në ishullin Skiathos, ku jeton dhe punon tezja e tyre, e cila ka marrë mbështetjen e plotë të Shërbimit Social Grek për të marrë përsipër rritjen dhe përkujdesjen ndaj tyre.
Avokatja e familjes ka bërë të ditur se procedurat ligjore janë në fazën përfundimtare, ndërsa edhe vetë fëmijët kanë shprehur dëshirën që të jetojnë me tezen e tyre, larg vendit ku ndodhi tragjedia.
Marjola Nakoleci u vra disa ditë më parë me thikë nga bashkëshorti i saj, Pandeli Nakoleci, i cili është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim. Ai ka pranuar autorësinë e krimit dhe ka deklaruar se veproi për motive xhelozie, duke pretenduar se gruaja e kishte tradhtuar.
Ngjarja makabre ndodhi në prani të fëmijëve, të cilët ishin dëshmitarë të vrasjes së nënës së tyre. Krimi tronditi thellë opinionin publik si në Greqi, ashtu edhe në Shqipëri, duke rikthyer vëmendjen te dhuna në familje dhe mbrojtja e viktimave. /Versus.al/







