AKTUALITET /

“Bankers Petroleum” reagon për arrestimet: Po bashkëpunojmë me autoritetet, por nuk pranojmë ndërhyrje që dëmtojnë stafin dhe investimin

Në deklaratën e saj, kompania thekson se “ka ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit që lidhen me hetimet ndaj disa prej drejtuesve dhe punonjësve të saj”, ndërsa kujton se ndryshimi i kontrollit tek investitorët aktualë ka ndodhur që në shtator 2016.

Shkruar nga Versus

“Bankers Petroleum” reagon për arrestimet: Po

TIRANË – Pas arrestimeve të disa drejtuesve dhe ish-drejtuesve të saj në Shqipëri, kompania “Bankers Petroleum” ka reaguar zyrtarisht duke shprehur shqetësim për mënyrën si janë zhvilluar hetimet, ndërsa deklaron mbështetje të plotë ligjore për personat e përfshirë.

Në deklaratën e saj, kompania thekson se “ka ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit që lidhen me hetimet ndaj disa prej drejtuesve dhe punonjësve të saj”, ndërsa kujton se ndryshimi i kontrollit tek investitorët aktualë ka ndodhur që në shtator 2016.

Sipas Bankers, masa si sekuestrimi i sendeve personale dhe monitorimi i komunikimeve janë marrë “në rrethana që ngrenë shqetësime serioze mbi proporcionalitetin dhe procedurat”.

Kompania konfirmon se:

Po bashkëpunon me autoritetet shqiptare për të sqaruar çdo çështje;

Po ofron përfaqësim të plotë ligjor për të gjithë të përfshirët;

Po vlerëson rrugët ligjore ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave si investitor i huaj;

Po përmbush detyrimet ndaj shtetit shqiptar dhe nuk do të pranojë ndërhyrje që dëmtojnë stafin, reputacionin apo operacionet e saj.

Në përfundim, kompania nënvizon se mbetet e përkushtuar ndaj integritetit të operacioneve të saj në Shqipëri dhe i bën thirrje autoriteteve që çdo proces të respektojë të drejtat e individëve dhe marrëveshjet kontraktuale ekzistuese.

Reagimi i plotë:

Kompania po ndjek me shqetësim hetimet ndaj disa prej drejtuesve e punonjësve të saj aktualë dhe të mëparshëm. Duam të përsërisim se ndryshimi i kontrollit tek investitorët aktualë ndodhi në shtator 2016.

Këto zhvillime vijnë pas muajsh mbikqyrjeje mbi komunikimet telefonike dhe sekuestrimit të sendeve personale dhe të punës të disa prej punonjësve tanë, të kryera në rrethana që ngrenë shqetësime serioze mbi procedurat dhe proporcionalitetin, duke kulmuar në masa kufizuese ndaj individëve dhe mjeteve të punës.

Ne rikonfirmojmë se:

· Marrëveshjet sipas të cilave Kompania operon në Shqipëri, dhe sistemi i "rikuperimit të kostove" në ato marrëveshje, i cili është në qendër të këtij hetimi penal ndaj drejtuesve dhe punonjësve të Kompanisë, u vlerësuan në një vendim përfundimtar të lëshuar nga një arbitrazh i ICC në vitin 2024;

· Megjithatë, Kompania po bashkëpunon plotësisht me autoritetet kompetente hetimore shqiptare;

· Të gjithë punonjësit kanë të drejtë të prezumohen të  pafajshëm dhe kanë të drejtën për mbrojtje ligjore të pavarur dhe të drejtë;

· Kompania po ofron mbështetje të plotë ligjore për të gjithë stafin e prekur dhe garanton përfaqësim të plotë ligjor në çdo fazë proceduriale, duke mbështetur fuqimisht të drejtën e tyre për një proces të drejtë dhe të paanshëm.

Duke marrë parasysh ndikimin e mundshëm që këto zhvillime mund të kenë në integritetin e operacioneve të saj në Shqipëri, Kompania ka angazhuar ekipe ligjore si në Shqipëri ashtu edhe jashtë vendit për të bashkë-udhëhequr mbrojtjen ligjore, si brenda vendit ashtu edhe para organeve ndërkombëtare të arbitrazhit.

Kompania aktualisht po vlerëson të gjitha rrugët ligjore ndërkombëtare të disponueshme, duke përfshirë procedimet tek institucionet ndërkombëtare të investimeve dhe arbitrazhit sipas Rregullave të ICC-së, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të saj si investitor i huaj dhe ruajtjen e sigurisë ligjore të operacioneve të saj.

Kompania do të vazhdojë të përmbushë detyrimet e saj kontraktuale dhe t’u përmbahet ligjeve shqiptare. Ne besojmë se as mekanizmat e lartpërmendur dhe as nxitja e tyre nuk duhet të zëvendësojnë dialogun në lidhje me zbatimin e vendimit përfundimtar të lëshuar në arbitrazhin e lartpërmendur të ICC-së, të cilin ne kemi shprehur prej kohësh gadishmërinë tonë për ta finalizuar dhe zbatuar.

Kompania jonë nuk do të pranojë asnjë ndërhyrje të pajustifikuar që dëmton stafin e saj, familjet e tyre, reputacionin e saj ose investimin e saj të gjatë në vend.

Në këtë mjedis sfidues, ekipi ynë kryesor ka demonstruar unitet dhe profesionalizëm, duke siguruar që operacionet e Kompanisë të vazhdojnë pa ndërprerje.

Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj partnerëve tanë dhe të gjithë palëve të interesuara duke përmbushur detyrimet tona me të njëjtën cilësi dhe besueshmëri, ndaj institucioneve shqiptare dhe mbi të gjitha, ndaj të gjithë punonjësve tanë, të cilët i kanë shërbyer misionit tonë me integritet dhe profesionalizëm./Versus.al

 

Poll