
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-oficerin e Antiterrorit, Igli Haxhiaj i cili ishte pjesë e komunikimeve në SkyEcc ku bisedonte me grupin e Visit të Pojës për trafikun e kokainës.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet kanë treguar se i pandehuri Igli Haxhiaj i ka zbuluar shtetasit D.M. faktin se ky i fundit ka qenë objekt i hetimeve të këtij procedimi penal si edhe i veprimeve që lidhen me përgjimin telefonik dhe vëzhgimin në vende publike. Ai gjithashtu i ka dhënë shtetasit D.M të dhëna dhe i ka zbuluar përmbajtjen e akteve që përbëjnë “sekret hetimor”. Në këto rrethana, provohet se i pandehuri Igli Haxhiaj ka kryer veprën penale “Zbulim i akteve ose të dhënave sekrete”, e parashikuar nga neni 295/a, paragrafi (3) i Kodit Penal. Informacionin e dhënë, Haxhiaj e ofronte kundrejt shumës prej 15 mijë eurosh.
D.M rezulton të jetë një prej anëtarëve të grupit kriminal të Visit të Pojës të njohur ndryshe si Elvis Doçi. Gjithashtu në komunikimet e tij janë gjetur biseda lidhur me trafikun e kokainës. Versus.al


