AKTUALITET /

Belgjika nxjerr ushtrinë në rrugë, shkak edhe bandat shqiptare?

Propozohet vendosja e ushtrisë në zonat problematike të Brukselit për të luftuar trafikun e drogës. Zonat që parashikohet të mbulohen përfshijnë stacione të metrove, zonën e njohur problematike të Peterbos në Anderlecht, si dhe pjesë të Molenbeek-ut.

Shkruar nga Versus

Belgjika nxjerr ushtrinë në rrugë, shkak edhe bandat shqiptare?
Në përballje me përshkallëzimin e dhunës së lidhur me trafikun e drogës në Bruksel, partia liberale belge Lëvizja Reformatore (Mouvement Réformateur) propozon vendosjen e ushtarëve në zonat më të ndjeshme të kryeqytetit për të ndihmuar policinë në terren.

Sipas kryetarit të partisë, Georges-Louis Bouchez, i cili foli të dielën në studiot e RTL-TVi, ushtarët do të përfshiheshin në patrullime të përbashkëta me forcat policore dhe do të kishin kapacitet ndërhyrjeje të krahasueshëm me atë të ushtrisë franceze.

Masa do të ishte pjesë e një plani të gjerë për sigurinë në qytetet e mëdha. Zonat që parashikohet të mbulohen përfshijnë stacione të metrove, zonën e njohur problematike të Peterbos në Anderlecht, si dhe pjesë të Molenbeek-ut.

Ushtarët belgë janë vendosur më parë në rrugë për të përballuar kërcënimin terrorist pas sulmeve të viteve 2015 dhe më pas. Sipas Bouchez, prania e ushtrisë kishte sjellë një ulje të ndjeshme të kriminalitetit gjatë asaj kohe.

Ministri i Brendshëm, Bernard Quintin (MR), e mbështeti idenë duke theksuar se “përballë ashpërsisë së situatës, duhet të kemi guximin të marrim masa radikale. Gjithçka duhet bërë për të rikthyer rendin dhe sigurinë në Bruksel dhe në mbarë vendin. Kur trafikantët e drogës shtijnë në mes të qytetit, duhet të veprojmë pa hezitim, edhe nëse kjo nënkupton vendosjen e ushtrisë në zonat më të goditura nga të shtënat”, përfundoi ministri Quintin.

Propozimi pritet të shqyrtohet nga qeveria në ditët në vijim.

Poll