Të tjera detaje janë mësuar rreth dëshmisë së Nors Manlapaz, nënës së Mark Samson, të riut që akuzohet për vrasjen e ish-të dashurës së tij, Ilaria Sula, brenda banesës me tre goditje thike në qafë, më 26 mars.
“Në mbrëmje po flija. Vetëm në mëngjesin e 26 marsit kuptova se ishte dikush tjetër në shtëpi, kur pashë dy filxhanë kafeje. I dëgjova duke debatuar, pastaj s’u dëgjua më asgjë. Hapa derën dhe pashë vajzën të vdekur. Kam humbur ndjenjat”, ka thënë nëna e Mark, e cila është marrë nën hetim si e dyshuar se ka ndihmuar të birin të fsheh krimin dhe trupin e pajetë të 22-vjeçares shqiptare.
Mediat italiane shkruajnë se nëse konfirmohet se njollat e gjakut që policia ka konstatuar në muret e banesës së të riut, të cilat dyshohet se kanë mbetur gjatë tentativës së Ilarias për tu larguar nga shtëpia e ish partnerit dhe nëse nëna e Mark nuk e ka gjetur 22-vjeçaren të vdekur por të plagosur dhe nuk e ka ndihmuar duke lajmëruar policinë apo ambulancë, akuza ndaj saj mund të përshkallëzohet nga “fshehje e kufomës” në “bashkëpunim në vrasje”.
Njollat e gjakut gjithashtu mund të jenë shkaktuar gjatë përpjekjes për të fshehur trupin e Ilarias, i cili u fut në një valixhe të marrë nga dhoma e prindërve të Mark dhe u hodh në një greminë.
Hetimet janë të fokusuara edhe në përcaktimin e saktë të kohës së vdekjes së vajzës. Mark ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se ka pasur marrëdhënie seksuale me të në orët e natës, gjë që do të verifikohet përmes autopsisë, dhe se e ka vrarë mëngjesin pasues, pasi i kishte çuar mëngjesin në dhomë.
Megjithatë, rrobat që kishte veshur viktima, pantallona të zeza dhe një bluzë e bardhë, jo pizhame, hedhin dyshime mbi versionin e tij.
Nën hetim është marrë edhe babai dhe xhaxhai i autorit. Mark ka deklaruar se babai i tij ndodhej në punë pranë Vatikanit në momentin e ngjarjes, por kjo po verifikohet nga autoritetet. Nën shqyrtim është edhe roli i xhaxhait, që banon në të njëjtën ndërtesë dhe pretendon se ndodhej në punë në kohën e vrasjes.








