Ish-ministri Ilir Beqaj ka ofruar 50 mijë euro si garanci pasurore në këmbim të lirisë së tij nga qelia ku po mbahet në paraburgim pas arrestimit ditën e enjte nën akuzën e abuzimit me fondet e BE-së gjatë drejtimit të SASPAC në periudhën 2022-2023.
Gjatë seancës në GJKKO, Beqaj mohoi akuzat ndaj tij, ndërsa kërkoi masë më të butë sigurie. Ndërsa sa i takon automjetit me të cilin udhëtonte, që dyshohet se është pronë e fshehur e tij nën emrin e Ermal Kurtulajt, Beqaj u justifikua duke thënë se me të ardhurat e tij mund të blinte disa automjete të ngjashme, por rri pasagjer sepse nuk ka patentë. Lidhur me restorant "Gzona" që dyshohet se është pronë e fshehur e tij, Beqaj tha se ishte e gjitha çështje fati pasi një mik i kishte ofruar bashkëpunim.
"Unë gjithmonë hipi pasagjer se skam patentë. Një makinë të tillë mund ta përdor pa problem me të ardhurat që kam, mund të përballoj jo shpenzimet e kësaj makine por disa të tilla me të ardhurat që kam, s’kam arsye ta fsheh.
Kur është futur bashkëshortja te “Gzona”, ishte fat që një mik i përbashkët kishte interes për të bashkëpunuar në biznes. Kjo për faktin se shihej si mundësi për të ofruar për shkak të njohjes klientë të serës së lartë”- mësohet të jetë shprehur Beqaj.
Të njëjtën ofertë për garanci pasurore e ofroi edhe krahu i tij i djathtë Ermal Kurtulaj i cili tha se mund të linte paratë e fituara nga shitja e automjetit të tij tip "Audi Q7".
Seanca në GJKKO e nisur prej orës 12:30 u ndërpre për 30 minuta. Ndaj ish-ministrit rëndojnë akuzat për 4 vepra penale, korrupsion, fshehje pasurie, mashtrim dhe shkelje barazie në tendera. Në bashkëpunim me dy punonjës të SASPAC, Ermal Kurtulajn dhe Alfred Nikollën gjithashtu të arrestuar në kuadër të kësaj çështje hetimore, Ilir Beqaj ngriti një skemë korruptive me fatura fiktive ndaj institucionit që drejtonte. Më pas këto para që paguheshin nga agjencia që duhej të menaxhonte fondet e BE, tërhiqeshin dorazi nga krahu i tij i djathtë Ermal Kurtulaj me të cilin Beqaj kishte në bashkëpronësi edhe restorant "Gzona" në Kalanë e Tiranës. Versus.al








