AKTUALITET /

Bisedat me Klotilda Bushkën për SPAK-un, reagon ish-kryetarja e KLGJ-së

Shkruar nga Versus
Bisedat me Klotilda Bushkën për SPAK-un, reagon ish-kryetarja e
Naureda Llagami

Naureda Llagami, ish-kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), ka reaguar me një deklaratë publike ndaj disa artikujve të publikuar së fundmi që synojnë të dëmtojnë figurën dhe imazhin e saj.

Në deklaratën e saj Llagami thekson se këto komunikime nuk kanë ndodhur kurrë dhe janë krijuar në mënyrë të rreme, gjë që mund të verifikohet lehtësisht.

Ajo vuri në dukje se materialet e rreme janë shpërndarë në mënyrë anonime në media të ndryshme nga i njëjti person që, gjatë vitit të kaluar, e ka përcjellur vazhdimisht në platformat sociale si LinkedIn dhe Facebook.

Ky person sipas Llagamit ka postuar materiale që cënojnë haptazi figurën e saj duke përfshirë edhe komunikime imagjinare për ndikime në sistem.

Në fund të deklaratës, Llagami bën të ditur se do të ndjekë rrugën ligjore për të mbrojtur emrin dhe nderin e saj nga akuzat e rreme dhe shpifjet e fabrikuara. 

Deklarata e plotë e Nauredas Llagamit:

Të nderuar miq, kolegë, bashkëpunëtorë, përfaqësues të medias, qytetarë, e ndiej të nevojshme të reagoj sërish ndaj disa artikujve të publikuar ndaj meje.

Në përmbajtjen e tyre janë publikuar komunikime elektronike me znj. Bushka të cilat nuk kanë ndodhur kurrë por janë fabrikuar, fakt që është lehtësisht i verifikueshëm. Ato janë shpërndarë në mënyrë anonime në media të ndryshme, nga i njëjti person që në mënyrë të vazhdueshme vitin e fundit, më ka përndjekur në platformat sociale “Linkedin, Facebook”, duke postuar materiale që cënojnë haptazi dhe rëndë figurën dhe imazhin tim.

Ky person ka fabrikuar gjithashtu komunikime imagjinare për ndikime në sistem, për të cilat është proceduar penalisht për “kallëzim të rremë” dhe “falsifikim të dokumenteve”, dhe pezulluar nga KLGJ (gjatë kohës që unë isha kryetare e KLGJ).

Vlerësoj nevojën për të dhënë këtë sqarim, pasi në 5 vjet që kam drejtuar KLGJ, jam përpjekur së bashku me koleget e mi, të krijojmë një model ndryshe qeverisje të sistemit gjyqësor.

Për të gjithë sa sqaroj më sipër, do të ndjek rrugën ligjore./Versus.al

 

Poll