Ka filluar sot në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) gjykimi në themel i çështjes “Metamorfoza”, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që lejon pranimin e mesazheve nga aplikacione të koduara si prova.
Avokatët që përfaqësojnë biznesmenin Pëllumb Gjoka kanë kërkuar një kohë shtesë për t’u njohur me vendimin e plotë të Kushtetueses, e cila u pranua nga trupi gjykues.
Si pasojë, seanca është shtyrë për datën 21 janar, ndërsa afatet e paraburgimit janë pezulluar. Gjykata gjithashtu pranoi kërkesën e ish-komisarit Ardit Hasabegaj për t'u njohur më në detaje me dokumentacionin.
Biznesmeni Pëllumb Gjoka përfaqësohet nga avokatët Ylli Manjani dhe Gurali Brahimllari. Prokurori Altin Dumani kërkoi që shqyrtimi gjyqësor të vazhdojë dhe të njoftohen viktimat e veprës penale, duke pohuar se gjykata ka ezauruar të gjitha rrugët ligjore për të dyshuarit.
Avokati i ish-shefit të policisë Ardit Hasabegaj kërkoi gjithashtu shtyrjen e seancës për arsye proceduriale, për të siguruar një kontakt të ngushtë me klientin dhe për t’i dhënë mundësi një mbrojtjeje efektive.
Pas përfundimit të diskutimeve, u caktua që seanca e radhës të zhvillohet më 21 janar, ndërkohë që u vendos që të pandehurve t’u pezullohen afatet e paraburgimit për të shmangur komplikime procedurale ose kalimin e tyre./Versus.al








