Seanca e radhës në Gjykata e Posaçme për çështjen ndaj deputetit socialist Erion Braçe, i paditur për “shpifje” nga biznesmeni Anduel Çekrezi, është shoqëruar me debate dhe kërkesa të reja nga palët.
Gjatë seancës, avokati i Çekrezit kërkoi që akuzës për “shpifje” t’i shtohej edhe vepra penale e “fyerjes”, duke pretenduar se deputeti kishte përdorur gjuhë fyese në një emision televiziv.
Avokati i Çekrezit: “Kërkojmë marrjen e një fakti penal që përmban edhe veprën penale të fyerjes. Pala e akuzuar në një emision televiziv ka fyer klientin tonë duke e quajtur palaço dhe ordiner. I kërkojmë gjykatës të marrë parasysh edhe veprën penale të ‘fyerjes’. Deri më tani e kemi paditur për ‘shpifje’, por kërkojmë të bashkohet edhe fakti i ri.”
Në përgjigje, Braçe mohoi të ketë përmendur emra konkretë në deklaratat e tij.
Erion Braçe: “Unë nuk kam përmendur emra. Kam thënë ‘bëj të fala Bilos’. Nuk e kuptoj pse duhet të më atribuohen gjëra që nuk janë të miat.”
Ndërkohë, prokurori i çështjes, Ols Dado, u shpreh se kërkesa nuk ishte në momentin e duhur procedural.
Prokurori: “Mendoj që faza proceduriale nuk është e duhur.”
Pas shqyrtimit, gjykata vendosi të mos pranojë kërkesën e avokatit për shtimin e akuzës së “fyerjes”, duke lënë në fuqi vetëm padinë për “shpifje”.
Nga ana e tij, avokati i biznesmenit theksoi se klienti i tij ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore për pronat dhe ka vendime gjyqësore në favor.
Avokati i Çekrezit: “Klienti im ka qenë i rregullt me procedurat e marrjes së tokës. Ka edhe procese gjyqësore që i japin të drejtë. Deputeti ka bërë deklarata të pavërteta për klientin tim.”
Ndërsa Braçe u mbrojt duke theksuar se deklaratat e tij lidhen me detyrën si deputet dhe mbrojtjen e interesit publik.
Erion Braçe: “Në këtë periudhë kam qenë në detyrën e deputetit të Republikës së Shqipërisë. Mbrojtja e interesit publik është detyrim që buron nga Kushtetuta. Kam qenë deputet i qarkut të Fierit dhe në çdo rast që kam folur kam pasur referenca ligjore. Në këtë histori ka qenë e përfshirë edhe policia.”
Gjatë seancës nuk munguan përplasjet verbale mes palëve, ndërsa vetë paditësi ngriti shqetësime për dëmtim të imazhit të tij.
Anduel Çekrezi: “Kam tre vite që përballem me këto linçime publike. Unë jam në punën time, por paragjykohem si falsifikator nga fjalët e Braçes. Faji im i vetëm është se kam besuar te ky shtet.”
Çekrezi shtoi gjithashtu se i ishte propozuar të merrte me qira tokë shtetërore në Divjakë për të realizuar një investim.
Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar të zhvillohet më 6 maj, në orën 09:00./Versus.al

