AKTUALITET /

Deklarata skandaloze për spastrimin etnik të Kosovës, mblidhen 53 firma nga deputetët opozitarë serbë për shkarkimin e ministres Snezana Paunovic

53 deputetë opozitarë kanë firmosur kërkesën drejtuar kryeministrit serb, Gjuro Macut, ku kërkohet largimi i menjëhershëm i Paunoviç nga posti ministror.

Shkruar nga Versus

Deklarata skandaloze për spastrimin etnik të Kosovës, mblidhen 53

Ministrja serbe e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezana Paunoviç, është vënë në qendër të kritikave pas deklaratave të saj për Kosovën, ndërsa opozita në Serbi ka nisur një nismë për shkarkimin e saj.

53 deputetë opozitarë kanë firmosur kërkesën drejtuar kryeministrit serb, Gjuro Macut, ku kërkohet largimi i menjëhershëm i Paunoviç nga posti ministror.

Nisma është ndërmarrë nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë dhe është mbështetur nga disa grupe opozitare, mes tyre edhe deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Për një mocion zyrtar shkarkimi nevojiten 60 firma deputetësh, ndërsa deri tani kërkesa ka marrë 53 mbështetje.

Kamberi ka deklaruar se nëse kryeministri Macut nuk ndërmerr hapa për shkarkimin e ministres, ai do të mbajë përgjegjësi për vazhdimin e mandatit të saj dhe për lejimin e një politike të tillë brenda qeverisë serbe.

“Fatkeqësisht, iniciativën tonë nuk e kanë mbështetur partitë e pakicave nacionale, të cilat janë pjesë e qeverisë”, është shprehur Kamberi.

Deklaratat e Snezana Paunoviç shkaktuan reagime të shumta pasi ajo deklaroi se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviç gjatë luftës në Kosovë, do të kishte ndërmarrë një politikë të “spastrimit etnik”.

Reagimet ndaj deklaratave të saj kanë ardhur nga Kosova dhe faktorë ndërkombëtarë, të cilët i kanë cilësuar ato si të papranueshme dhe nxitëse të tensioneve në rajon./Versus.al

Poll