
Pas arrestimit të adoleshentit që sulmoi një 32-vjeçar në ambientet e Poliklinikës së Shkodrës dhe babait të tij, policia ka vënë në pranga dhe vëllain e të plagosurit me thikë.
I dëmtuari ka marrë ndihmën e nevojshme në spital dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas burimeve, plagët nuk kanë prekur organet jetësore dhe gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar.
Policia e Shkodrës ka arrestuar 18-vjeçarin Arvin Fregjaj, i dyshuar si autori i plagosjes me thikë, si dhe babanë e tij, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar në kryerjen e veprës penale.
Ndaj 18-vjeçarit rëndojnë akuzat për “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Ndërsa babai i tij akuzohet për “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.
Në vijim të hetimeve, policia ka arrestuar edhe 41-vjeçarin Arben Kepëca, vëllain e të plagosurit. Ai u kap, sipas policisë, teksa dyshohej se po lëvizte i armatosur me një pistoletë për t’u hakmarrë ndaj autorit të dyshuar.
Gjatë ndërhyrjes së efektivëve, 41-vjeçari tentoi të largohej dhe hodhi armën, e cila u sekuestrua së bashku me municionin luftarak.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të konfliktit dhe përcaktimin e rolit të secilit person të përfshirë në ngjarje./Versus.al

