Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli të mërkurën më 2 tetor vendimin për 32 të pandehur nga prokuroria respektive, si anëtarë të pesë grupeve kriminale të përfshira në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike gjatë viteve 2019-2020.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Matilda Llangozi, Albert Meça dhe Besmir Stroka, kanë vendosur deklarimin fajtor të 30 prej të pandehurve dhe dënimin e tyre në total me 211 vjet burgim.
Një prej të pandehurve është deklaruar i pafajshëm, ndërsa për një tjetër është konstatuar moskompetenca për t’u shprehur me vendim përfundimtar. Për një prej të pandehurve është pezulluar dënimi.
Sipas SPAK, të pandehurit akuzohen për prodhim, shitje dhe trafikim të narkotikëve. Nga hetimi atëhershëm është konstatuar kultivim i bimëve narkotike të llojit cannabis sativa në Tepelenë, Tiranë, Vlorë, Durrës, Lezhë e Përrenjas.
Ndaj të pandehurve rëndonin akuzuat “Grupi i strukturuar kriminal”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e “Moskallëzim krimi”. / BIRN








