
E diela nisi më një bilanc tragjik viktimash e të plagosurish. Një aksident i rëndë i ndodhur mëngjesin e kësaj të diele në aksin Peqin-Elbasan, në afërsi të fshatit Bishqem, i ka kushtuar jetën 2 personave, nënë e bir, ndërsa 5 të tjerë mësohet se kanë mbetur të plagosur
Sipas informacioneve të para në aksident janë përfshirë dy automjete, një Benz me targë AB507AV dhe një furgon pasagjerësh me targë AA368NH, i drejtuar nga shtetasi Anesti Bufi.
Ky i fundit dhe disa pasagjerë janë transportuar me autoambulancë në spitalin rajonal të Elbasanit për ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, drejtuesi dhe një pasagjere e automjetit mbetën të bllokuar brenda automjetit, pasi dyert e tij u bllokuan nga shkatërrimi i madh pas përplasjes. Policia dhe zjarrfikësit punuan për të nxjerrë personat e bllokuar, të cilët mësohet se ishin nënë e bir, por fatkeqësisht nuk ja dolën t'i nxirrnin të gjallë dhe ti dërgonin në spital për ndihmë mjekësore.
“Mëngjesin e sotëm, në aksin rrugor "Elbasan-Peqin", në fshatin Paulesh, furgoni që drejtohej nga shtetasi A. B., 44 vjeç, është përplasur me automjetin tip "Benz", me drejtues shtetasin K. Sh.
Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën drejtuesi i automjetit tip "Benz" shtetasi K. Sh., dhe shtetasja F. Sh., 55 vjeçe, pasagjere në këtë automjet.
Gjithashtu, janë dëmtuar drejtuesi i furgonit, shtetasi A. B., dhe 4 pasagjerë që udhëtonin me furgon, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi Policia.
Grupi hetimor u ngrit menjëherë pas aksidentit tragjik me bilanc "lufte": 2 të vdekur e 5 të plagosur, për të hetuar shkaqet e aksidentit.

