AKTUALITET /

"Fëmijë 2-vjeç i plagosur me armë..." Nata e Vitit të Ri dramatike në Shkup, dy pacientë në rrezik për jetën

Klinika e Kirurgjisë u përball me dhjetëra raste të rënda, përfshirë rënie nga lartësia, plagosje me armë dhe incidente nga mjetet piroteknike

Shkruar nga Versus

"Fëmijë 2-vjeç i plagosur me armë..." Nata e

Nata e ndërrimit të moteve ka qenë jashtëzakonisht e ngarkuar në Klinikën e Kirurgjisë pranë Qendrës Klinike në Shkup, ku janë trajtuar disa raste të rënda. Dy pacientë ndodhen aktualisht në gjendje kritike për jetën, mes tyre edhe një fëmijë vetëm 2 vjeç, i plagosur nga një armë zjarri.

Sipas drejtorit të Klinikës së Traumatologjisë, Igor Merxhanoski, në spital janë paraqitur tre pacientë të politraumatizuar pas rënieve nga lartësia. Një 30-vjeçar, i gjetur i rrëzuar në rrethana ende të paqarta, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Atij i është kryer ndërhyrje kirurgjikale në shtyllën kurrizore dhe aktualisht po trajtohet në Klinikën e Kujdesit Intensiv.

Në Klinikën e Neurokirurgjisë është pranuar gjithashtu një 16-vjeçar nga Shtipi, i cili ka pësuar lëndime pas rënies nga lartësia. Ndërkohë, një fëmijë 2-vjeç është shtruar në Kujdes Intensiv pasi është plagosur në kokë nga një projektil arme zjarri. Për rrethanat e kësaj ngjarjeje ende nuk ka informacione, ndërsa gjendja e fëmijës mbetet kritike.

Drejtori Merxhanoski bëri të ditur se gjatë natës janë regjistruar edhe 8 sulme fizike, një plagosje me thikë, si dhe një tjetër plagosje me armë zjarri në Prilep, ndaj një pacienti nga Shkupi. Po ashtu, mjekët kanë kryer ndërhyrje te 8 pacientë të lënduar nga mjetet piroteknike.

Autoritetet shëndetësore apelojnë për më shumë kujdes dhe përgjegjësi gjatë festimeve, pasi përdorimi i armëve dhe mjeteve piroteknike vazhdon të shkaktojë pasoja të rënda, veçanërisht për fëmijët.

Poll