AKTUALITET /

Tragjedi në ndërrimin e viteve: 3 të rinj humbin jetën në aksident tek Ura e Leklit–Tepelenë (EMRAT)

Bilanci i rëndë i natës së Vitit të Ri: viktima nga përplasja e mjeteve dhe 20 të lënduar nga fishekzjarrët në të gjithë vendin

Shkruar nga Versus

Tragjedi në ndërrimin e viteve: 3 të rinj humbin jetën

Një aksident tragjik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, gjatë ndërrimit të viteve, në aksin rrugor Ura e Leklit–Tepelenë, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën me forcë të madhe. Si pasojë e përplasjes, tre persona kanë humbur jetën, duke e kthyer fillimin e Vitit të Ri në një ngjarje të rëndë për zonën dhe familjarët e viktimave.

Viktimat janë identifikuar si Klejdi Myftari, Anxhelo Ruci dhe Martin Dulaj. Ndërkohë, dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe ambulancat, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit që tronditi zonën në orët e para të Vitit të Ri.

Paralelisht, nata e festimeve është shoqëruar edhe me një numër të lartë incidentesh nga hedhja e fishekzjarrëve. Sipas të dhënave, 20 persona janë lënduar në rang vendi, ndërsa në Tiranë një e mitur ka shpëtuar nga një plumb qorr.

Mësohet se Arsida Demiri, 20 vjeçe, ndodhet e shtruar në repartin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve, ndërsa gjendja e saj shëndetësore po monitorohet nga afër.

Autoritetet vijojnë hetimet dhe apelojnë për kujdes maksimal, duke theksuar se festimet e pakontrolluara dhe shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor vijojnë të sjellin pasoja tragjike.

Poll