Në ditën e nëntë të aksionit të nisur me urdhër të kryeministrit Edi Rama për sigurinë ushqimore, drejtoria e përgjithshme e tatimeve ka bërë me dije se janë sekuestruar plot 63 ton produkte bujqësore e blegtorale të cilat shiteshin pa faturë.
Deri më tani janë kryer 151 kontrolle, ndërsa në statistikat e dhëna nga tatimet thuhet se qëllimi i këtij aksioni është përfshirja e fermerëve në tregun formal përmes faturave dhe identifikimit me NIPT.
"Vazhdon me intensitet aksioni kombëtar tashmë i shtrirë në qarqet Tiranë, Durrës, Fier, Lezhë dhe Korçë për formalizimin dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore. Si rezultat i 151 kontrolleve të ushtruara janë bllokuar 63 ton produkte bujqësore e blegtorale pa faturë.
Ky proces është një përpjekje e koordinuar midis Ministrisë së Financës dhe Ministrisë së Bujqësisë me strukturat përkatëse për të fomalizuar sektorin bujqësor, forcuar kontrollin mbi sigurinë ushqimore dhe për të garantuar përfshirjen e fermerëve në tregun formal përmes gjurmueshmërisë së produkteve, faturimit tatimor dhe identifikimit me NIPT. Ftojmë tatimpaguesit të zbatojnë ligjet tatimore duke lëshuar faturat fiskale në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor për të siguruar gjurmueshmëri dhe transparencë nga prodhuesi tek konsumatori"- thuhet në njoftimin e Tatimeve.
Aksioni i nisur me vrull pas urdhrit të Ramës, solli reagime edhe nëpër rrjete sociale pasi në një inspektim të bërë në Sarandë, njërës prej tregtarëve me pakicë në treg i kërkohej etiketa e prodhimit për rigonin që e kishte mbledhur në mal. Versus.al







