AKTUALITET /

Çdo gjë gati për ndërtimin e resortit në Sazan, qeveria krijon kompaninë ortake me dhëndrin e Trump

Kompania shtetërore shqiptare që do jetë ortake me kompaninë e Kushner quhet "Albanian State Development & Real Estate.

Shkruar nga Versus
Çdo gjë gati për ndërtimin e resortit në Sazan,
Edi Rama dhe Jared Kushner

Qeveria ka krijuar kompaninë shtetërore e cila do të përfaqësojë shtetin si ortak në resortin luksoz që planifikon të ndërtojë dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner në Sazan. Një ditë më parë është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit shoqëria aksionare Albanian State Develompent & Real Estate.

Lihet të kuptohet se kjo kompani mund të marrë pjesë edhe në projekte të tjera në të ardhmen.

“Objekti i kësaj shoqërie do të jetë pjesëmarrja si përfaqësues i shtetit, në partneritete apo investime strategjike si dhe në çdo rast të përcaktuar me vendim të organeve të shoqërisë, lidhur me projektin e investimit “Resorti Turistik- Ishulli i Sazanit” apo çdo projekt tjetër të autorizuar nga Korporata e Investimeve” thuhet në ekstraktin e kompanisë së sapokrijuar.

Çdo gjë gati për ndërtimin e resortit në Sazan,

Investimi përllogaritet deri në vlerën e 1.4 miliardë dollarëve nga kompania e Kushner. Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi vitin e kaluar statusin e investitorit strategjik për këtë projekt duke shpalosur hapat që do të ndiqeshin për realizimin e tij.  Një ndër kushtet ishte që shteti të jetë ortak në këtë projekt

“Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpëmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), Albanian Seaports Development Company sh.a (ASDC), në cilësinë e palës shtet, dhe subjektit investues Atlantic Incubation Partners LLC, shoqëri e të drejtës amerikane,” thuhej në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike.

Sipas projektit, do të ndërtohen një sërë rezidencash elitare, zonë gastronomike dhe akomodimi me një marinë turistike në një sipërfaqe prej 45 hektarësh ose thënë ndryshe 8% të ishullit.

Projektet financohen nga kompania e investimeve e Kushner “Affinity Partners”, e cila mbështetet me fonde nga qeveria e Arabisë Saudite. Së fundmi dhëndri i Trump është parë në Vlorë së bashku me gruan e tij ku kanë konsumuar produkte deti dhe pasi pritën edhe perëndimin e diellit mbi Sazan, u larguan me mjetin e tyre lundrues. Versus.al

Poll