Një alarm për bombë, që rezultoi i rremë, shkaktoi panik mbrëmjen e sotme në Tiranë, duke çuar në evakuimin e menjëhershëm të Toptani Shopping Center.
Gjithçka nisi pasi shefi i sigurisë së qendrës tregtare mori një email kërcënues, ku pretendohej se brenda godinës ishte vendosur një sasi lënde plasëse që do të shpërthente në orën 20:30.
Menjëherë pas njoftimit, rreth orës 20:10, shtetasi me iniciale A.D. informoi sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, duke vënë në lëvizje strukturat e sigurisë.

Në vendngjarje mbërritën me urgjencë shërbimet e Policisë, forcat xheniere dhe strukturat e Antiterrorit, të cilat evakuuan të gjithë personat që ndodheshin brenda dhe nisën kontrolle të imtësishme, përfshirë edhe përdorimin e qenve nuhatës.
Pas verifikimeve të plota, autoritetet konfirmuan se alarmi ishte fals dhe se në ambientet e qendrës nuk u gjet asnjë material i rrezikshëm apo i paligjshëm.
Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur punën për identifikimin e personit që ka dërguar emailin kërcënues, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje që shkaktoi frikë dhe ndërprerje të aktivitetit në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit.

