
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK-ut për të kaluar në gjykim dosjen “Buka” ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Ai akuzohet për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 7 miliardë lekësh.
Prokuroria ka ndarë çështjen për biznesmenin Lirim Fezollari dhe disa persona të tjerë nga Ministria e Financave, duke i kaluar në gjykim vetëm Ahmetajn.
Hetimet tregojnë se gjatë kohës kur Ahmetaj ishte ministër i Financave, Fezollari ka përfituar nga privatizimi i shoqërisë “Buka Sh.a”, ndërsa dyshohet se marrëdhëniet e tyre kanë qenë përtej komunikimit institucional, çka mundësoi privatizimin e aksioneve.
Njoftimi i SPAK:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 21.12.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale nr. 154, viti 2022, në ngarkim të të pandehurit Arben Ahmetaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” e parashikuar nga neni 248 i K.Penal”. 2. Në seancën e datës 25.07.2025 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin nr. 7/34/124, datë 25.07.2025,
vendosi: 1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 2. Dërgimin për gjykim të procedimit penal nr. 154, i vitit 2022, i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të të pandehurit: - Arben Ahmetaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” e parashikuar nga neni 248 i K.Penal. 3. Urdhërohet formimi i fashikullit të gjykimit duke përfshirë në të aktet e hetimeve paraprake dhe aktet e seancës paraprake. 4. Urdhërohet depozitimi i vendimit gjyqësor të dërgimit të çështjes në gjyq së bashku me fashikullin e gjykimit në sekretarinë e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si gjykata kompetente për gjykimin e çështjes së themelit, brënda dhjetë ditëve nga shpallja e tij. 5. Kundër këtij vendimi nuk lejohet e drejta e ankimit./Versus.al







