
Një 18 vjeçar ka rënë në prangat e policisë pas aksidentit ditën e djeshme në rrugën Fier-Roskovec.
Jenis Velia u arrestua për veprat penale "Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt" dhe "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor".
Gjithashtu do të hetohet në gjendje të lirë një 26 –vjeçar, që ishte shoferi i automjetit tjetër.
Nga aksidenti mbetën të plagosur katër pasagjerë dhe dy drejtuesit e automjeteve. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
“Në vijim të informacionit mbi aksidentin e djeshëm, në fshatin Verbas, ku si pasojë e përplasjes së automjetit me drejtues shtetasin J. V., 18 vjeç me automjetin me drejtues shtetasin F. S., 26 vjeç, u dëmtuan katër pasagjerët dhe dy drejtuesit e automjeteve, informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit J. V., i cili drejtonte automjetin pa leje drejtimi, për veprat penale "Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt" dhe "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” .Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. S., për veprën penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor", njofton policia.
