Pesë ditë më parë, SPAK njoftoi zgjatjen e hetimeve për Veliajn, ndërsa i komunikoi zyrtarisht akuzat kryebashkiakut, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe biznesmenit Elman Abule.
Sot avokatët e Veliajt kërkuan kohë për t’u njohur me aktet hetimore të dosjes që ka rreth 60 mijë faqe në total. Ata kanë pretenduar se 10 ditë kohë nuk u mjaftojnë për t’u njohur plotësisht me provat dhe aktet hetimore.
Mbrojtja ligjore e kryebashkiakut ka kërkuar kohë deri më 24 shtator për shkak të volumit të materialeve hetimore.
Në dosjen prej 60 mijë faqesh, Veliaj akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Për të njëjtat vepra penale akuzohet edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa me të cilën dyshohet se kishte ngritur një skemë të përvetësimit të fondeve publike të bashkisë Tiranë, pjesë e së cilës akuzohen se janë edhe 5 biznesmenë. Versus.al







