Pas përfundimit të seancës gjyqësore në lidhje me dosjen ‘Partizani’, avokati Genci Gjokutaj u shpreh se Gjykata ka rrëzuar kërkesat e tyre të bëra në seancën paraprake.
Sipas Gjokutaj, ende nuk ka një vendim për kalimin e çështjes në gjykim themeli, ndërsa pala në gjyq, do të vijojë të bëjë kërkesat e nevojshme lidhur me këtë dosje.
Genci Gjokutaj:
Ne sot përfunduam fazën e pretendimeve tona dhe gjykata u tërhoq dhe ka dhënë vendim në lidhje me kërkimet tona gjatë seancës paraprake që kanë të bëjnë me pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e akteve dhe këtu, shteroi vendimmarrja e gjykatës, por jo, vendimmarrja për dërgimin ose jo të çështjes në gjyq.
Ne kemi kërkuar pavlefshmëri për një sërë aktesh që nga kërkesa që gjykata ti bëjë thirrje prokurorisë, ti kërkojë saktësimin e akuzës, të individualizojë provat për secilin subjekt në këtë proces, sepse siç e kemi thënë prokuroria ka sjellë të gjitha provat për të gjithë. Një e paprecedentë kjo, sepse secili i pandehur në këtë proces ka fabulën e tij dhe provat që i përkasin sipas ligjit, për ato vepra penale që akuzohen.
Dhe gjykata e gjeti të rregullt këtë mënyrë. Ka rrëzuar kërkesat tona për pavlefshmërinë e ekspertëve që s’kanë edhe njohurinë e posaçme. Pra gjithë vendimmarrja që ka dhënë sot, rrëzoi të gjitha kërkimet që ne kemi bërë gjatë seancës paraprake.
Të gjitha kërkimet që kemi bërë, ajo i rrëzoi.
Ne kërkuam një kohë të shpejtë siç u caktua që të konsultohemi për këtë vendimmarrje të kundraligjshme të gjykatës, të konsultohemi me ata që përfaqësojmë sepse sigurisht është vullneti i tyre ai që determinon nëse ne do të shikojmë ndonjë element procedurial.
Nesër pastaj ne do të marrim vesh se kur gjykata do ta japë vendimin në lidhje me dërgimin ose jo të çështjes në gjykatë, në themel.








