Partia e Lirisë ka publikuar mbrojtjen e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në Apelin e Gjykatës së Posaçme ku ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë. Në disa prej pretendimeve të Metës thuhet se dëshmitarët që e implikojnë atë në aferën e njohur si “CEZ-DIA” nuk thonë të vërtetën.
“Nga deklarimet e shtetasit Romeo Kara, ka rezultuar se në biseda me shtetasin Elvis Mataj, ky i fundit i ka thënë që Kastriot Ismailaj me çantën e Elvisit i ka dërguar një sasi të konsiderueshme parash në shtëpi Ilir Metës, gjë e cila në deklarimet e Elvis Mataj nuk është pranuar”.
Pra në një paragraf kaq konçiz të shkruar nga SPAK-u, ose kallëzuesi i përzgjedhur nga Qeveria dhe SPAK-u për të regjistruar këtë çështje mashtron, ose dëshmitari i përzgjedhur nga Qeveria dhe SPAK-u për të shpifur për personin tim gënjen.
Por që të jemi seriozë dhe jo si SPAK-u, ata gënjejnë kryesisht që të dy nga fillimi në fund lidhur me personin tim për qëllime politike të regjimit dhe ekonomike të atyre vetë. Të dy kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Kastriot Ismailit në drejtimin e DIA-s dhe pasi hynë në konflikte me të për punë parash u përdorën nga Damian Gjiknuri si Ministër i Energjisë, si dëshmitarë në Arbitrazh në Vjenë kundër Kastriot Ismailit.
Me këtë rast Romeo Kara fitoi vendin e punës në shtet në sektorin energjitik ndërsa Elvisit iu pushuan çështjet me drejtësinë dhe jo vetëm atij, por edhe bashkëshortes, e cila ishte e paditur po ashtu për mashtrime dhe kishte interesa direkte me CEZ-in. Është po ky Romeo Kara që në procesin gjyqësor ku u dënua Kastriot Ismailaj asnjëherë nuk e ka përmendur emrin tim si të lidhur me DIA apo Kastriot Ismailin.
Madje në një deklaratë të tij nën betim kur ai kujton se si Kastriot Ismailaj i bëri ofertë të punonte me të te DIA, pyetjes së Romeos se a ishte i lidhur me politikanë, Kastrioti i ishte përgjigjur se jo, ai ishte i lidhur me amerikanët për DIA”- thuhet në pretendimet e Metës.
Ndër të tjera në fund të mbrojtjes së tij, Meta kërkon të respektohet statusi i tij si ish-president i republikës ndërsa garantoi gjykatësit se nuk kishte ndërmend të arratisej duke kërkuar që t’i bllokohet pasaporta si masë sigurie.
“Unë nuk kam asnjë pozitë, mundësi të prish provat, sepse prova as nuk ka përveç intervistave dhe hamendësimeve. Unë as e imagjinoj të arratisem dhe nëse ekziston ky shqetësim ju mund të vendosni të bllokoni pasaportën time. Por unë jam ish-President, gëzoj këtë status ende dhe juridikisht dhe President i Partisë së dytë opozitare në vend dhe Partia e tretë prej 20 vitesh”- shtohet ndër të tjera në mbrojtjen e bërë nga Meta.
Kryetari i Partisë së Lirisë akuzohet për 3 vepra penale, të korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Ai u arrestua më 21 tetor gjatë një aksioni të dhunshëm të Operacionales në hyrje të Tiranës. Versus.al








