AKTUALITET /

Dy shefat turq në arrati, dyshime për pastrim parash tek “Kurum”! Asnjë kriter sigurie për mbetjet toksike që rrezikonin shqiptarët

Shkruar nga Versus

Dy shefat turq në arrati, dyshime për pastrim parash tek

Dy administratorët turq të kompanisë “Kurum” e cila është në qendër të skandalit të mbetjeve me mijëra ton substanca të dëmshme për shëndetin, janë ende në kërkim. Prokuroria e Durrësit njoftoi më herët se Erdal Demir dhe përfaqësuesi i tij me prokurë Yusuz Sezai ende nuk janë arrestuar. Mes akuzave për disa vepra penale, ata dyshohen edhe për pastrim parash. 

Hetimet e prokurorisë kanë zbuluar shkelje të rënda të kryera nga kompania Kurum sa i takon legjislacionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar për përpunimin dhe transportimin e mbetjeve. Në dosjen ku është përfshirë edhe inspektimi i prokurorisë në kompanitë e tjera që kanë blerë mbetjet nga Kurum për t’i eksportuar drejt vendeve të treta, janë vënë re mospërputhje të shumta sa i takon csasisë së mbetjeve të deklaruara për t’u përpunuar.

është vënë re se gjatë invervalit kohor nga 3 korriku i viit 2023 deri në 21 korrik të të njëjtit vit, Kurum ka deklaruar se ka shitur një sasi prej 8611 ton mbetjesh për kompaninë “Alliance”. Por në regjistrin e kësaj të fundit deklarohet se nuk ka pasur aktivitet dhe nuk ka gjeneruar apo pranuar asnjë mbetje duke ngritur edhe dyshimet për pastrim parash.

Ajo çfarë vihet re më tej është fakti se Kurum ka shitur mbetje të rrezikshme në sasi shumë të mëdha tek kompania “Alliance” e cila nuk ka asnjë kapacitet për t’i menaxhuar.

Përveç rasteve të përcjella më herët nga Versus.al sa i takon shkeljeve të kompanisë “Kurum” për mbetjet e rrezikshme për shëndetin e shqiptarëve, në dosje konstatohet edhe një tjetër rast i dyshimtë që lidhet me transportin e këtyre mbetjeve.

“Kurum” kishte lidhur një kontratë me kompaninë “Bajrami N” për transportin e mbetjeve konkretisht trajtimi dhe përpunimi i skorjeve në mënyrë të tillë që të mos i derdhë ato në mjedis apo të mos e dëmtojë mjedisin gjatë transportit të tyre. Ngarkimi i mbetjeve bëhej nga kompania “Kurum”, por çfarë përbën tjetër shkelje është fakti se kompania e cila do të duhej të bënte përpunimin dhe trajtimin e skorjeve, nuk kishte një leje të tillë. Prokuroria nuk ka gjetur asnjë informacion se çfarë procesi pune ka ndodhur apo ku janë depozituar këto mbetje pasi nuk ka patur asnjë regjistër mbi to. Versus.al

Poll