Interpol Tirana ka finalizuar dy operacione të mëdha ndërkombëtare në kuadër të operacionit “The Wanted”, duke ekstraduar dy shtetas shqiptarë të kërkuar nga autoritetet italiane dhe gjermane.
Nga Italia u ekstradua Hajrulla Xhivini, 42 vjeç, banues në Tiranë. Ai akuzohet për kanosje ndaj gjyqtarit të Gjykatës Administrative Lushnjë dhe prishje të qetësisë publike. Xhivini kishte kërcënuar gjyqtarin përmes telefonit dhe kishte protestuar para Gjykatës së Lartë.
Nga Gjermania u ekstradua Brian Syzo, 34 vjeç, i kërkuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve, konkretisht për trafik të dozave të kokainës në Pogradec.
Të dy shtetasit iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe do të vuajnë masat e sigurisë të vendosura nga gjykatat shqiptare.
Njoftimi i policisë:
Interpol Tirana
Vijon bashkëpunimi me homologët, në kuadër të operacionit “The Wanted”, për finalizimin e procedurave të ekstradimit të shtetasve të kapur jashtë vendit.
-Ekstradohet nga Italia, një shtetas i cili gjatë muajit shkurt 2024, kanosi në mënyrë të përsëritur, për shkak të detyrës, gjyqtarin e Gjykatës Administrative Lushnjë.
-Ekstradohet nga Gjermania, një shtetas i kërkuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve.
1-Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, në kuadër të operacionit “The Wanted”, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe ekstradimin e tyre, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Italia, të shtetasit Hajrulla Xhivini, 42 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vitin 2024, i ka caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Shtetasi H. Xh. akuzohet se gjatë muajit shkurt 2024, ka kanosur në mënyrë të përsëritur, nëpërmjet celularit, për shkak të detyrës, shtetasin E. L., gjyqtar i Gjykatës Administrative Lushnjë, si dhe ka protestuar para Gjykatës së Lartë.
2-Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit me homologët gjermanë, u finalizua ekstradimi nga Gjermania, i shtetasit shqiptar Brian Syzo, 34 vjeç. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, i ka caktuar atij, masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Shtetasi B. S. akuzohet për shitje të dozave të kokainës, në qytetin e Pogradecit.
Shtetasit e ekstraduar iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve./Versus.al







